Raporti: SHBA nuk përmbushi premtimin e dhënë Koresë së Veriut

schedule17:00 - 30 Gusht, 2018

schedule 17:00 - 30 Gusht, 2018

Një raport i publikuar në mediat amerikan, thotë se SHBA nuk përmbushi premtimin e dhënë Koresë së Veriut për të firmosur një deklaratë që i jep fund luftës Koreane. Sipas analistëve, këto zhvillime ngadalësojnë procesin e çarmatosjes bërthamore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nuk arriti të përmbushë premtimin e dhënë për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un, gjatë samitit historik të tyre në Qershor në Singapor se ai së shpejti do të nënshkruajë një deklaratë që i jep fund Luftës Koreane. Në mediat amerikane thuhet se vendimi i Trumpit për “të ndryshuar rregullat dhe për të vënë kushte” ka çuar në ngërçin e fundit në negociatat midis Washingtonit dhe Phenianit.

Gjithashtu  thekson se Trump kishte premtuar të nënshkruante deklaratën e paqes, e cila do t’i jepte fund luftës mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, por kanë kaluar muaj dhe nuk ka ndodhur asgjë. Administrata Trump po thotë se Pheniani duhet t’i japë fund arsenalit të tij bërthamor përpara se të nënshkruhet ndonjë marrëveshje për paqe. Ndërsa regjimi komunist thekson se mosmbajtja e premtimit nga Trump e ka bërë edhe më të vështirë çështjen e çarmatosjes bërthamore.

“Unë nuk e di se kjo është pjesë e marrëveshjes së përgjithshme, por mund t’ju them se ne besojmë se denuklearizimi duhet të ndodhë para se të ndërmarrim vendime të tjera”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert në përgjigje të një pyetjeje nga një Reporter.

Ndërkohë, në Qershor mardhëniet mes dy vendeve u përmirësuan ndjeshëm pas takimit Trump-Kim Jong un. Por tashmë duket se po rikthehen përplasjet e dikurshme, pasi Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, anulloi një vizitë në Phenian nga një urdhër i presidentit amerikan, për shkak të deklaratave të fundit. Regjimi i Koresë së Veriut thotë se SHBA nuk po respekton deklaratën e përbashkët të samitit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!