Raporti për Kosovën, drejtuesit e shtetit: Të liberalizohen vizat

schedule13:31 - 18 Prill, 2018

schedule 13:31 - 18 Prill, 2018

Drejtuesit e Shtetit të Kosovës vlerësuan me nota positive raportin e progresit të Komisionit Europian. Thaçi, Haradinaj dhe Veseli kërkuan sa më shpejt që të jetë e mundur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Drejtuesit e Shtetit të Kosovës e kanë pritur në mënyrë pozitive raportin e Komisionit Europian lidhur me përmbushjen e kritereve që afrojnë vendin drejt anëtarësimit në BE. Në një reagim me anë të një mesazhi në Facebook, presidenti Hashim Thaçi shkruan se “të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara”. Gjithashtu kërkoi liberalizimin e vizave sa më shpejt që të jetë e mundur.

“E konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, nënvizon Thaçi. Gjithashtu kreu i shtetit tha se “Kosova ka nevojë të ketë qartësi në rrugën e saj evropiane dhe të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetet tjera të rajonit”. Sipas Thaçit, “në mungesë të një perspektive të qartë të BE-së, gjithçka tjetër mund të sjell komplikime dhe pasoja jo vetëm për Kosovën por edhe gjithë rajonin”.

Një reagim për raportin e Komisionit Europian ka ardhur edhe nga kryeministri Ramush Haradinaj. Njësoi si presidenti edhe ky i fundit e cilëson atë si pozitiv për Kosovën. “Progresi i përmendur në këtë raport është dëshmi e qartë se të gjitha kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur. Pavarësisht se raporti i progresit nuk është mekanizmi përkatës për vlerësim të plotësimit final të kritereve, vonesat në liberalizimin e vizave nuk munden më të arsyetohen me mos plotësim kriteresh. Kosova e ka kryer punën e saj”, shkruan shefi i qeverisë së Prishtinës. Gjithashtu me nota positive e vlerësoi raportin dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Edhe ky i fundit kërkoi liberalizimin e vizave./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!