Raporti i “Venecias”, Presidenca: Dokumenti i Tao Taos, lajm i gënjeshtërt

schedule17:19 - 11 Tetor, 2019

schedule 17:19 - 11 Tetor, 2019

Zëdhënësi i Presidentit, Ilir Meta, Tedi Blushi, doli në një deklaratë për shtyp këtë të enjte në lidhje me raportin e Komisionit të Venecias që u publikua sot. Blushi akuzoi kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Ballën se ka prodhuar dhe shpërndarë në media një material që nuk përcjell në më mënyrë të drejtë opinionin e Komisionit të Venecias.

“Titrat dhe lajmet e gënjeshtërta të shpërndara në panik nga shteti i propagandës, dhe të qarkulluara nga përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve, janë një dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit, ku kanë rënë lolot e Rilindjes, me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm, Tao Tao, në lidhje me konkluzionet e Opinionit final të Komisionit të Venecias. Së pari dua t’ju bëj me dije një fakt të pakundërshtueshëm dhe lehtësisht të verifikueshëm, që nxjerr në dritë, para të gjithë shqiptarëve dhe opinionit ndërkombëtar, pacipësinë dhe pafytyrësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao Tao, që mashtrojnë dhe ndajnë në media, gjoja në emër të Venecias, raporte dhe konkluzione të pavërteta. Ky është dokumenti i vetëm zyrtar i publikuar sot nga Këshilli i Europës, në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias. Ndërsa ky këtu është dokumenti që Tao Tao, lolot dhe përsheshngrënësit mediatikë kanë publikuar dhe shpërndarë me email, sms apo me titra. Dokumenti Tao Tao përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet. Ndërkohë sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë: “Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”, thotë Blushi.

Sipas Blushit, ndryshe nga raporti i publikuar në media, Komisioni Venecias vërteton se Presidenti nuk e ka shkelur Kushtetutën, por së shpejti do të tregojë që Presidenti ka mbrojtur shkëlqyeshëm Kushtetutën.

“Duke i lënë në pacipësinë e tyre të gjithë lolot e shëmtuar të shtetit të propagandës dhe përsheshngrënësit e tyre mediatikë që nxitojnë të publikojnë lajme të pakonfirmuara, mbështetura mbi dokumente Tao Tao, ju sqarojmë se:

Opinioni Final i Komisionit të Venecias së shpejti bëhet publik dhe shqiptarët do e lexojë me sytë e tyre, e zeza mbi të bardhë, të vërtetën që Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta ka thënë gjithmonë:

Zero shkelje të kushtetutës! Zero shkelje të kompetencave kushtetuese! Mbrojtje e shkëlqyer e kushtetutës! Mbrojtje e shkëlqyer e konventës europiane të të drejtave të njeriut! Mbrojtje e shkëlqyer e vendimit të gjykatës së strasburgut për të drejtën e zgjedhjes! Mbrojtje e shkëlqyer e detyrimeve ligjore që ka shqipëria nga marrëveshja e stabilizim asocimit me bashkimin europian! Ju bëj me dije dhe ju konfirmoj me përgjegjësi maksimale se: Komisioni i Venecias vërtetoi sërish se Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Komisioni i Venecias gjithashtu ka vlerësuar maksimalisht thirrjet e Presidentit për dialog dhe përpjekjet e tij për arritjen e një kompromisi midis palëve, që ishin të rëndësishme për zgjidhjen e krizës. Kjo është e vërteta e vetme që në ditët në vazhdim do t’i bëhet e ditur çdo shqiptari”!

Raporti përfundimtar i Komisionit të Venecias pritet të publikohet të hënën e 14 Tetorit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!