Raporti i proseperitetit për vitin 2017 e rendit Shqipërinë në vend të 75 nga 149 shtete. Krahasuar me vitin paraardhës është ngjitur një shkallë më lart, por vijon të jetë e fundit në rajon. Problemet kryesore të Shqipërisë, sipas këtij, raporti kanë të bëjnë me mjedisin dhe burimet njerëzore.
Shqipëria renditet e 75 në botë dhe të fundit në rajon. Raporti i Prosperitetit për vitin 2017 e pozicionon vendin tonë në zonën portokalli dhe nxjerr në pah problemet kryesore.
Instituti Legatum, me bazë në Britani për të 11-in vit radhazi, paraqet studimin, i cili përpiqet të tregojë rrugën nga varfëria drejt prosperitetit.
Shqipëria paraqitet më keq në nënkategorinë e mjedisit, këtu renditet e 125 në botë, ndiqet nga kapitali njerëzor që e rendit të 119 si dhe ekonomia në tërësi për të cilën mban vendin e 110.
Në qeverisje, vendi ynë mban vendin e 78 në botë, ndërsa për mundësitë e të bërit biznes renditemi në vend të 71.
Për edukimin renditemi të 76-tët dhe për shëndetin të 45-tët.
Krahasuar me vitin paraardhës, Shqipëria është ngjitur një shkallë më lartë, por krahasuar me vendet e rajonit vijon të ketë renditjen më të ulët.
Shteti me paraqitjen më të mirë në rajon rezulton Maqedonia, e cila renditet e 56 në botë, ndiqet nga Serbia e Mali i Zi. Ndërsa në botë për të nëntin vit radhazim shteti me prosperitet më të lartë është Norvegjia, e cila pasohet nga Zelanda e re, Finlanda e Zvicra./abcnews.al