Raporti i inteligjencës amerikane: Princi saudit miratoi vrasjen e Jamal Khashoggi

schedule22:26 - 26 Shkurt, 2021

schedule 22:26 - 26 Shkurt, 2021

Një raport i inteligjencës amerikane ka zbuluar se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman miratoi vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi në vitin 2018.

Raporti i publikuar nga administrata e Biden thotë se princi miratoi një plan për të “kapur ose vrarë” Khashoggi, i cili ishte i vendosur në SHBA. Khashoggi u vra ndërsa vizitonte konsullatën saudite në Stamboll, Turqi.

“Ne vlerësojmë se Princi i Kurorës i Arabisë Saudite Muhamed bin Salman miratoi një operacion në Stamboll për kapjen ose vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi,” thotë raporti nga zyra e drejtorit amerikan të inteligjencës kombëtare.

Është hera e parë që Amerika akuzon publikisht princin e kurorës, i cili ka mohuar urdhërimin e vrasjen. SHBA-të njoftuan sanksione ndaj dhjetëra sauditëve por jo vetë princit.

Princi i kurorës është djali i mbretit Saudit Salman bin Abdulaziz al-Saud dhe konsiderohet të jetë sundimtari efektiv i mbretërisë.

Që në vitin 2018, CIA thuhet se besonte se princi i kurorës kishte porositur vrasjen por pretendimi se ai ishte i përfshirë nuk ishte bërë kurrë publikisht nga zyrtarët amerikanë deri më tani.

Arabia Saudite, eksportuesi më i madh i naftës në botë, është aleat kryesor amerikan në Lindjen e Mesme, përcjell abcnews.al.

Presidenti i SHBA Joe Biden pritet të marrë një qëndrim më të fortë se paraardhësi i tij Donald Trump për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Arabinë Saudite.

“Në një telefonatë të zhvilluar të enjten me Mbretin Salman, Biden “pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara i kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit”, tha Shtëpia e Bardhë.

Sipas burimeve të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters, administrata e Biden po konsideron gjithashtu anulimin e marrëveshjeve të armëve me Arabinë Saudite që paraqesin shqetësime për të drejtat e njeriut. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!