Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është duke raportuar të enjten në Parlament për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2021. Me aq sa raportoi Gent Sejko, kryefjala e zhvillimeve ekonomike gjatë 2021 ishte rimëkëmbja ekonomike dhe konsolidimi i ekonomisë.
Sipas guvernatorit të BSH-së, rimëkëmbja ekonomike gjatë 2021 solli rritje të punësimit, të pagave dhe marzheve të fitimit.
“Aktiviteti ekonomik në vend shënoi një rikuperim të shpejtë dhe të gjithanshëm ndërsa treguesit kryesorë u konsoliduan. Vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend në 2021 u rrit me 8.5 % kundrejt 2020 duke tejkaluar nivelin e regjistruar para tërmetit e pandemisë. Rritja ekonomike ishte me bazë të gjerë, ajo pasqyroi rimëkëmbjen e shpejtë të konsumit familjar, të investimeve private dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve.”
Sejko tha po ashtu se “frytet e kësaj rimëkëmbje ishin të pranishëm në gjithë sektorët dhe degët e ekonomisë.”
“Rimëkëmbja ekonomike gjatë 2021 solli rritje të punësimit, të pagave dhe marzheve të fitimit, çka u materializua në rritje të presioneve të brendshme inflacioniste. Për rrjedhojë inflacioni shënoi një rritje graduale gjatë vitit të shkuar ndonëse vijoi të mbetet nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Borxhi i huaj i vendit shënoi rënie dhe në planin fiskal rritja ekonomike dhe rënia e deficitit buxhetor sollën reduktim e 73.2% të raportit të borxhit publik ndaj PPP nga niveli 74.% regjistruar në vitin 2020.”
“Stabiliteti monetar e financiar, shtoi Sejko, erdhi në konsolidim dhe kushtet e kreditimit u përmirësuan.” /abcnews.al/

