Pas kalimit në opozitë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj dorëzon mandatin e deputetit.
Në një postim në Facebook ai shkruan se “Ulësen time në Kuvendin e Kosovës, do ta lë për kolegët, por pandalë, do të vazhdoj të mbaj të hapura dyert e Aleancës për reformën e nevojshme që e kërkoi sovrani, dhe për mbajtjen e vëmendjes së plotë e të pakursyer tek temat jetike për vendin, pa asnjë kompromis.”
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se fati i tij personal e politik, asnjëherë nuk ka qenë më i mirë se fati i Kosovës. Në secilin rast, do të vazhdojë punën e pandalshme në mbrojtje të interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe do t’u qëndrojë në krahë edhe kundërshtarëve politik, nëse ata do të vazhdojnë drejtimin që nisëm ne, për mbrojtjen dhe forcimin e interesit strategjik dhe sovranitetit të Kosovës.
Në postim Haradinaj falenderon secilin nga 100 mijë zgjedhësit qëi dhanë votën si kandidat për kryeministër e thotë se u ka borxh një rikthim të fuqishëm të partisë që drejton me kuadro të reja./ABC News Albania