Pritej të mbyllte gjithçka aty ku e nisi, mirëpo nuk ishte e shkruar të ndodhte kështu. Vetëm një sezon pas rikthimit të tij, tek “Andaluzianët” e Sevilla, “veterani” spanjoll i prapvijës, Sergio Ramos ka mbyllur gjithçka me ish-klubin e tij dhe tanimë është rikthyer sërish si një lojtar i lirë në tregun e transferimeve.
Gjithçka për mediat u bë e ditur nga gazetari i mirënjohur i futbollit, i specializuar veçanërisht në merkaton futbollit, Fabrizio Romano, i cili me anë të një njoftimi në profilin e tij zyratar në rrjetin social, “X” zbuloi vendimin e papritur të “shtatlartit” të mbrojtjes, për të nisur një aventurë të re, diku tjetër, megjithëse ende nuk është bërë asgjë me dije.
Ndërkaq, kujtojmë se në sezonin e tij të fundit, me “Andaluzianët” e Sevilla, Ramos shënoi plot shtatë gola, si edhe arriti të asistojë një tjetër, në 37 përballjet e zhvilluara mes kampionatit spanjoll të futbollit, La Liga, Copa del Rey dhe UEFA Champions League. /i.m /abcnews.al