Nga sot, Agim Kajmaku nuk është më kryebashkiak i Vorës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me unanimitet vendosi ndërprerjen e mandatit të tij, pasi prokuroria konfirmoi akuzat e Partisë Demokratike, se Kajmaku kishte fshehur një procedim në Greqi, në vitin 2003 me emrin Jorgo Toto.
Nga ky moment, Agim Kajmaku nuk është më kryebashkiak i Vorës. KQZ i ndërpreu mandatin, 71 ditë, pasi PD e akuzoi se kishte fshehur një procedim penal në Janinë në vitin 2003.
Prokuroria konfirmoi se Kajamaku dhe Toto ishin i njëjti person, e kërkoi ndërprerjen e mandatin, por avokati i qytetarit të parë të Vorës akuzon prokurorinë për hetim të paplotë.
Denar Biba tha se pavarësisht se Kajmaku ka fituar pafajësinë, një vendim i Kuvendit është në fuqi dhe duhet zbatuar.
Pak metra më tutje, Edi Rama nuk pati shumë fjalë për të thënë mbi djegien e të përzgjedhurit të tij për Vorën.
Pasi mori pak kohë, Rama, u divorcua në twitter me Kajmakun.
“KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje. Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë”.
Rama, më herë e kishte mbrojtur kryebashkiakun e Vorës, ndërsa tani sheh si meritë të tijën, faktin që KQZ vepron si e pavarur. Kajmaku është “dëshmori” i dytë i dekriminalizimit nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas Valdrin Pjetrit. Ndërsa nën hetim ende nga prokuroria është dhe kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani./abcnews.al