TIRANË – Zjarrfikësit do të përfitojnë 20 mijë lekë në kuadër të Pakos së Madhe që qeveria akordoi për 1 milionë shqiptarë.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se rritja e pagave me 15% këtë vit për zjarrfikësit, bashkë me 20 mijë lekë nga Pakoja e Madhe e këtij dimri të vështirë për mbarë Europën, do ta bëjnë praktikisht zero impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e familjeve të tyre.
Ndërkohë, Kryeministri theksoi se paga për zjarrfikësit do të vijojë të rritet më tej, si mbështetje e domosdoshme për një shërbim gjithnjë e më të kërkuar në kushtet kur zjarret po bëhen një problem i madh për gjithë botën.
Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milion individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliard lekësh.
Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.