Kryeministri Rama shprehet i vendosur të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Në një intervistë në “Top Channel”, shefi i qeverisë përsëriti se nuk mund të negociohet data kushtetuese e 30 Qershorit, ndërsa sjellja e opozitës për ta çuar deri në fund atë që e etiketoi si rrugë qorre, do sjellë vetëvrasjen politike të PD e LSI.
Rama tha se nuk sheh ndonjë përgjegjësi të mazhorancës për këtë sjellje të opozitës, përveçse ka fituar zgjedhjet e ka hapur një rrugë pa kthim, atë të reformimit të sistemit të drejtësisë që opozita nuk e ka dashur.
“Frika nga zgjedhjet, paniku nga reforma në drejtësi janë shtysat që kanë përcaktuar këtë rrugë qorre ku ka hyrë opozita”, tha kryeministri.
Rama përsëriti se nuk beson se do ketë një konflikt civil si në 97 më 30 qershor, pasi ata që dalin në protestë nuk janë populli.
Kryeministri tha se vendi mori rekomandimin e merituar për hapjen pa kushte të negociatave nga Komisioni Evropian, por Këshilli Evropian do ketë një vendimmarrje që bazohet në subjektivitetin legjitim politik të çdo vendi anëtar.
Lidhur me akuzat për blerje të votave, Rama tha se nuk bëhet fjalë për një fenomen masiv që mund të ndryshojë rezultatin, pasi sipas tij blerja e votave bëhet nga partitë e vogla, ndërsa prezumimi i pafajësisë vlen për këdo, përfshi kryebashkiakun Vangjush Dako, sa kohë ka një hetim.
I pyetur nëse e ka menduar dorëheqjen që i vjen si kërkesë e përsëritur e opozitës, Rama tha se nuk e ka menduar pasi nuk mund të tradhtojë qytetarët që i kanë dhënë mandatin, e nuk e mendon së afërmi largimin as nga politika./ABC News Albania 24/7