Rama ultimatum Veliajt: Në kantiere të punohet me tre turne, natën të ndezin prozhektorët

schedule17:15 - 28 Janar, 2021

schedule 17:15 - 28 Janar, 2021

Kryeministri Edi Rama i ka vënë ultimatum kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj që punonjësit në kantieret e rindërtimit në lagjen ” 5 Maji” dhe në zonën e Kombinatit të punojnë me tre turne në mënyrë që rindërtimi të përfundojë sa më shpejt, por pa çeduar te cilësia. Deklaratën kreu i qeverisë e bëri pasditen e sotme teksa viziton kantierin në lagjen 5″Maji” bashkë me Erion Veliajn dhe ministrin e Rindërtimit Arben Ahmetaj.

“Gjëja që unë e kam merak është që këtu dhe në të gjitha kantieret e rindërtimit duhet të punohet me vrull. Duhet të jetë taksative. Ditën natën, me tre turne. Ajo që ne duhet të kemi shumë të qartë është se kemi bërë që pa ceduar te cilësuar të përshpejtojmë ritmin e punës.

Nuk ndryshon vetëm cilësia e jetës së atyre që do marrin shtëpi por vlera e pasurisë në të gjithë zonën. 5 Maji dhe Kombinati bëhen dy pole të reja urbane. Pasuria e këtyre njerëzve rritet vetvetiu. Rritet dhe cilësia e jetës komunitare në kryeqytet. Kjo zallamahi që ishte këtu do transformohet. T’i rrinë mbi kokë ditë natë punës. Të vënë prozhektorët dhe të punojnë me tre turne”, tha Rama.

Ministri i Rindërtimit Ahmetaj tha se aktualisht janë 860 familje në çadër nga 11 mijë që ishin në Janar të vitit të kaluar. Ai akuzoi opozitën se në programin për qeverisje nuk ka asnjë rresht për procesin e rindërtimit duke shtuar se kjo do të thotë se njerëzit do të mbeten në qiell të hapur në rast se PD vjen në pushtet.

“Sot në parlament kaloi akti normativ për bonusin e qirave. Ne kemi ofruar përmes buxhetit të shtetit bonus qiraje për çdo familje që nuk është në shtëpinë e vet, Sot janë vetëm 860 familje në çadër, një numër që vjen duke u zvogëluar nga 11 mijë familje që kanë qenë në Janar të 2020.

Shumë familje janë kthyer në shtëpi dhe ato që akoma nuk janë kthyer janë akoma të sigurta që gjatë gjithë vitit do të jenë në shtëpia të reja. Asnjë fjalë sot opozita në pseudo-programin e vet. Asnjë rresht për rindërtimin. Që do të thotë se njerëzit që janë jashtë do mbeten jashtë”, tha Ahmetaj./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!