Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama në Bashkinë e Fierit. Takimi zgjati përreth një orë. Kreu i qeverisë ka kërkuar që të gjithë drejtuesit e drejtorive rajonale ne Fier, dy nënkryetarë dhe drejtues të departamenteve të bashkisë të japin dorëheqjen.
Burime nga brenda takimit me kryeministrin konfirmojnë se vala e shkarkimeve do t’i përfshijë të gjithë pa përjashtim. Sipas asaj që ka mësuar gazetarja e ABC News, dorëheqje e drejtorëve do të behet në grup, por jo të gjithë do të shkarkohen pasi kjo do të varet nga performanca e tyre në punë. Gjithashtu mësohet se kryeministri Rama ka folur me tone të ashpra për zaptimin e hapësirave publike, pastërtinë e qytetit që lë shumë për të dëshiruar dhe mosrespektimin e qytetareve.
“Ata na kanë vlerësuar me votë”, ka thënë Rama “ndaj ky besim do përkthyer në respekt ndaj tyre”.
Takimi i Edi Ramës në Fier disa ditë pas vizitës “rrufe” në Vlorë, ku dhe në këtë bashki kërkoi dorëheqjen e kryetarëve të bashkisë. Gjatë paradites së kësaj të martë, kryeministri paralajmëroi se si në rastin e Vlorës, do të veprohej njësoj në Fier dhe Durrës.
Vizita vjen në kuadër të iniciativës kombëtare për lirimin dhe sistemimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, ku Kryeministri Rama ka ndjekur nga afër aksionet e nisura më herët edhe në Vlorë./abcnews.al

