“Gjendje Emergjence? E çuditshme ta dëgjoj si pyetje”, kështu u shpreh Rama pas daljes së tij nga Spitali i Traumës ku vizitoi personat që i janë nënshtruar kujdesit mjekësor aty.
Rama tha se qeveria ka bërë një punë shumë të mirë, duke theksuar se, bluzat e bardha, bashkë me policinë, Forcat e Armatosura, por edhe Forcat operacionale të Kosovës kanë qenë heronjtë e vërtetë gjatë ditës së sotme.
Më tej Rama tha se, nesër do të jetë ditë zie kombëtare, në nderim të personave që kanë humbur jetën, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar.
Kryeministri Rama tha se kjo situatë, nuk është një çështje ditësh, por është çështje javësh, dhe muajsh, e cila do të jetë sfidë e vështirë në vazhdim.
“Kjo ditë ka qenë dita e atyre njerëzve të zakonshëm që nën uniformën e policisë së shtetit, forcave të armatosura, uniformën e zjarrfikëseve të urgjencës shëndetësore, kanë qenë të gjithë heronjtë e kësaj dite. Bluzat e bardha që në ditën me diell jemi mësuar ti përgojojmë pa hesap sot kanë qenë në krye të detyrës për të shpëtuar njerëzit. Natyrisht që për fat të keq bilanci i humbjeve nuk ka përfunduar. Uroj që mos të ketë përfunduar as bilanci i atyre që marrin frymë. Kjo ditë sa e rëndë aq dhe e mbushur me emocion si rezultat i solidaritetit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve por edhe miqve të jashtëzakonshëm. Ambasadat që në ditët e fundit kemi vënë në një shënjestër që na ka turpëruar të gjithëve, sot herët që në mëngjes ata kanë shprehur gadishmërinë e tyre. Qeveria ka bërë maksimumin kemi qenë në terren menjëherë të gjithë. Ministrat vazhdojnë të jenë në krye të detyrës. Është surreale që të flasësh me presidentin e Francës kur je përballë një gërmadhe në Durrës, e them këtë për të treguar sa e madhe ka qenë gatishmëria. Ndërkohë po punojmë për çfarë vjen nesër. Do të jetë një ditë zyrtarisht ditë zie kombëtare. Sot kam punuar në këtë drejtim bashkë me kolegët për të ndërtuar një marrëveshje me të gjithë hotelet në Durrës Kavajë e Vlorë për të siguruar të gjitha familjet që kanë mbetur pa çati t’u shërbehet dhe të zhvillojnë një jetë sa më normale. Kjo është çështje javësh e muajsh dhe paralelisht punojmë për mekanizmin e solidaritetit evropian. Kemi të tjera vende mike që do të bisedojmë sepse duhet të rindërtojmë gjithçka sepse duhet të rikthejmë njerëzit në shtëpitë e reja, duhet qetësi, mirëkuptim solidaritet dhe mbase ky është rast i mirë për të kuptuar që kur bën shumë gam gam gam, jemi mësuar të qahemi dhe të ankohemi duke u ankuar se jeta është diçka më shumë se gam gami i përditshëm. Siç bëmë me familjet në Korçë dhe Ersekë, do të bëjmë me të gjithë këto familje, është sfidë shumë e madhe, por ndaj jemi këtu. Disa prej nesh nuk janë më, dhe fjalët për të ngushëlluar familjet janë të vështira për t’u gjendur, kjo është jeta. Natyrisht nesër është dita për të menduar për të gjitha. Një gjë është e sigurt, që ata njerëz do të trajtohen në mënyrën më dinjitoze në çdo aspekt, që nga strehimi dhe krijimi i të gjithë kushteve. Sot nuk kemi pasur asnjë sekondë për të menduar për aspekte formale. Duhet të dimë që nuk jemi Franca, Gjermania, as Italia dhe Greqia që kanë eksperienca të gjata në këto situata. Është një moment i rëndë, krizë e madhe, reale, artificiale, por edhe mundësi e madhe, për të gjithë, për t’u bërë pak më njerëzor, dhe për të kuptuar më shumë, nga ky leksion jete”, tha Rama./abcnews.al