Rama të hënën pret liderët e Rajonit dhe komisionerin e BE-së për Zgjerimin, Kurti nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen

schedule10:27 - 16 Korrik, 2023

schedule 10:27 - 16 Korrik, 2023

Edi Rama vijon përpjekjet paraprake për të mirëpritur në tetor në Tiranë takimin e radhës së Procesit të Berlinit.

Pas turit dy ditor në gjithë rajonin, kryeministri shqiptar ka ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor në një drekë informale këtë të hënë në Tiranë.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar: presidenti i Serbisë, Vucic, kryeministri maqedonas Kovacevski, shefi i qeverisë malazeze Abazovic dhe kryeministrija e Bosnjë-Hercegovinës.

Ftesë ka marrë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por ai nuk i është përgjigjur ende Edi Ramës.

Nuk dihet ende nëse Kurti, do të vijojë të rrijë larg tryezës së Ramës, duke e mbajtur edhe Kosovën larg, apo do të përfaqësohet nga ndonjë zyrtar tjetër.

Në takim do të marrë pjesë komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varheli.

Këto mbledhje koordinuese kanë për qëllim që rajoni të krijojë një plan të përbashkët veprimi kur në tetor të ulet në tryezë përballë Bashkimit Evropian.

Vec sigurisë dhe gjeopolitikës në tërësi, Ballkani Perëndimor është i etur për fonde evropiane dhe ato jepen kryesisht për projekte të mëdha që ndërlidhin vendet, ndaj secili shtet nuk mund të shkojë me kërkesat e veta, por me një plan të përbashkët me fqinjët.

Samiti i Berlinit është një format i nisur nga Gjermania, në të cilin kanë marrë pjesë pa rezerva të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirë edhe Kosovën, që ka qenë një kritike e madhe e Open Ballkan, të cilin Rama për momentin e ka lënë mënjanë./abcnews.al