TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se nuk do ketë asnjë mbështetje financiare për universitet e vendit, nëse ato nuk ndjekin shembullin që po bën Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Ai theksoi se qeveria do vijojë ta mbështesë me fonde e buxhet këtë universitet, i cili sipas tij, do të kthehet në një prej institucioneve rrezatuese në rajon dhe burim dijesh të rëndësishme për nevojat e Shqipërisë.
“Natyrisht që ky territor ka nevojë për forcat e reja. Në kapitujt e negociatave për anëtarësim, bujqësia dhe zhvillimi rural është një kapitull më vetëe që është e “nëne o nëne”, realisht. Ata pedagogë që merren shumë ose pak me direktivat evropiane e dinë shumë mirë, mjedisi dhe ndryshimet klimatike është kapitull më vete.
Ujërat dhe menaxhimi i mbetjeve janë kapituj në vete dhe të gjitha këto bashkë, është dhimbja më e madhe e kokës për një vend si ne, por dhimbja e madhe e kokës jo se ne kemi problem që të tjerët s’i kanë pasur, por se ne na duhen dije, na duhen njerëz të ditur dhe patjetër që bazë është ky universitet.
Nuk bëhet kjo me miell të huaj, sado të marrim ekspertë dhe ndihmë, por na duhet ky brum, që kjo furrë po bëhet gati për ta pjekur, por ama prurjet janë të rëndësishme, por është interes kombëtar dhe prioritet mbështetje pa rezervë e kësaj reforme edhe këtij universiteti. Të gjithë universitetet e Shqipërisë duhet ta kenë të qartë që tani që e kemi shembullin, nëse duan mbështetje ekstra, duhet të bëjnë atë që po bën UBT.
Duhet të gjejnë shokun apo shoqen në Europë, të ngjiten me të, të dorëzojnë letrat e fejesës që ne t’i mbështesim për martesë. Historia që kemi një program, jo do bëjmë atë, jo këtë, mund t’i bëjnë, janë autonon, por nuk kanë mbështetje nga qeveria.
Qeveria do ndryshojë komplet qasjen financiare dhe për sa kohë nuk do ketë një të dytë, çfarë janë ekstra, ne do t’i vendosim të UBT. Do ta bëjmë UBT një rrezatim në të gjithë rajonin. Do ta fusim në listën dinjitoze të Evropës për këto tema dhe do t’i japim Shqipërisë një burim të jashtëzakonshëm dijeje”, tha ai./abcnews.al

