Rama: Të gatshëm për të diskutuar të gjitha çështjet me Greqinë

schedule13:35 - 20 Tetor, 2020

schedule 13:35 - 20 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, deklaroi se Greqia u gjend pranë në situatën e vështirë që vendi kaloi  nga tërmeti i 26 nëntorit.

Rama theksoi se Greqia ka qenë një nga vendet që u përfshi në dhënien e kontributeve të drejtpërdrejta gjatë konferencës së donatorëve.

Ai po ashtu theksoi se është i gatshëm për të diskutuar të gjitha çështjet me Greqinë.

Pjesë nga fjala e kryeministrit Rama:

“Jemi në një situatë ku kontributi i drejtpërdrejtë jo vetëm me praninë simbolike të ministrit këtu por edhe me praninë e trupave të kërkim shpëtimi nga vendi mik na mundësoi daljen nga ajo situatë duke kursyer jo pak jetë njerëzish.

Sinqerisht asnjëherë  nuk do e harroj nxjerrjen nga rrënojat e një djali të ri dhe ata djem me uniformën e një vendi fqinj që vinin për herë të parë këtu sakrifikuan jo pak dhe ishin gati të sakrifikonin jetën e tyre.

Kështu që me atë kujtim të fortë e të paharrueshëm sot e mirëpresim këtu mikun tonë për të folur për rrugën e përbashkët të të ardhmes si dy fqinjë që nuk e kemi zgjedhur njëri tjetrin por jemi bashkë nën të njëjtin diell prej mijëra vitesh dhe kemi detyrimin ndaj gjeneratave të bëjmë atë që njerëzit e zakonshëm shqiptarë dhe grekë në marrëdhënien njerëzore.

Ne duhet ti ngremë në të njëjtin nivel pritshmërie ëndrrash të njerëzve tanë. Me këtë frymë ne kemi hapur një kapitull shumë pozitiv me Greqinë dhe unë dua që ta risjellë këtu dhe faktin se përveç ministrit që ka qenë këtu personalisht në atë moment të vështirë kryeministrit Mitsotakis ka qenë i pari që ka dashur të ofrojë ndihmën për ndërtim shpëtimin, dhe i gatshëm në momentin e vështirësisë, në përballjen e pasojave të covid-it etj.

Për ne Greqia ka qenë një partner strategjik dhe mbetet partner strategjik, ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar dhe patjetër partneriteti ynë është një partneritet për të ardhmen duke mos harruar asnjëherë. Greqia ka qenë një ndër vendet që  morën pjesë por edhe u përfshinë në dhënien e kontributeve të drejtpërdrejta gjatë konferencës së donatorëve dhe faktikisht ne sot kemi konfirmuar atë që kemi dakordësuar më parë.

Ne jemi dakord që të punojmë bashkarisht për t’i zgjidhur, me vullnet të mirë, të gjitha çështjet që duhen zgjidhur mes vendeve tona, që janë çështje të të dy palëve.

Çështja e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri është çështja jonë gjithashtu. Nga ana tjetër e njëjta gjë vlen dhe për shqiptarët në Greqi që ata të jenë në kushtet më të mira të mundshme dhe të kenë mundësi të barabarta me fqinjët grek. Nuk kemi pasur asnjë moment hezitimi të dyanshëm kur vjen puna për të bërë maksimumin për qytetarët e Shqipërisë me prejardhje greke dhe për qytetarët grek me kombësi shqiptare.

Për të çuar më tej agjendën në këtë drejtim, qoftë për të gjithë elementët që kanë të bëjnë me jetën e njerëzve, me një gjuhë amtare tjetër, për ta përcjellë brez pas brezi qoftë gjuhën greke në Shqipëri qoftë gjuhën shqipe në Greqi. Falë vullnetit të mirë të kryeministrit Mitsotakis u bë njohja në Parlament e lejeve të drejtimit për të gjithë bashkëkombësit tanë”, tha Rama.

/abcnews.al/