Rama takon studentë të inxhinierisë së ndërtimit dhe arkitekturës

schedule21:21 - 20 Dhjetor, 2018

schedule 21:21 - 20 Dhjetor, 2018

Kryeministri Edi Rama ka vijuar takimet me studentët në univesitetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës. Gjatë 3 orëve nuk munguan edhe përplasjet verbale  mes tij dhe studentëve.

Pas atyre të Gjeologjisë, Bujqësisë dhe Universitetit të Vlorës, rradhën e kishin studentët e Arkitekturë-urbanistikës. Këta të fundit duket se moralin e mbajnë më me vështirësi.

Rama: “Nuk mund të çoj kërkesa si në amazon.com. edukatën nuk e përmbysni dot ju as me protesta dhe as duke bërë korin”.

Mirësjelljen ja kërkuan ta nisë nga vetja.

Student: Në radhë të parë unë dhe studentët jemi ndjerë të ofenduar kur na quajtët ngelësa. Këtë faj duhet ta pranoni. Na kërkoni të sillemi si qytetarë dhe ne ju bëjmë thirrje që të jeni të matur dhe diplomat”.

Pastaj i kërkuan llogari.

“ Ju thatë do përmirësohet bachelor. Masteri e ka tarifa 4 herë më të lartë. Po bachelor kur do përgjysmohet? 5% ishte premtim elektoral. Premtimet elektorale i takojën atij që e ka hartuar”.

Kur propaganda mori kontrollin e diskutimit, studentët u revoltuan.

Rama: “Rrogat janë të ulëta, por taksat janë edhe më të ulëta. Këtu taksat janë ulur. Këtu ka ndodh një gjë tjetër”.

Studenti: “Mbani përgjegjësi  për 5% që premtuat”.

Premtimin elektoral të 2013-ës e shpalli vetë të pamundur.

Rama: “5% ka qenë angazhim i yni në 2013, në 2017 nuk e kemi më se pse është i pabëshëm.

Batutat, ku subjekt është ai vetë, nuk i përballoi dot pa kërcënime.

Studenti: “Unë një gjë s’e kam kuptuar s’e imagjinoj dot Merkelin me ato statuse në instagram, unë jam student dhe nuk bëj meme.

Rama: “Do humor tani, do të bëj që të qeshi gjithë Shqipëria me ty? Më lër të flasim për këto gjëra”.

Studentëve i kërkoi të depozitojnë kërkesat e tyre tek tabela online e personalizuar për dialogun për universitetin në portalin “shqipëriaqëduam”, përpara se t’i bënte kërkesën tjetër.

Rama: “Do ishte shumë mirë që një grup i juaji ta marrë përsipër ndjekjen e procesit të gjithë kësaj historie”.

Studentët insistuan në një përgjegjës nominal për çka nuk funksionon sipas tyre.

“Është shkelur ligji, pse nuk ka asnjë përgjegjës, asnjë dorëheqje?

Përgjigjuu!!!

As populizmi nuk i erdhi për shtat Universitetit të Inxhinieri Ndërtimit.

Rama: “Meqë ti do të njohësh një 10.00, eja me mua në Postribë të Shkodrës, do të çoj në një familje, ku fëmijët mësojnë me çadër në dhomë. Janë me 10, zero-zero”.

Studentëve i përsëriti propozimet që i artikulon kolegëve të tyre prej disa ditësh tashmë. Përgjysmim tarife për të gjithë studentët në semestrin e radhës, tarifë e cila nuk do të paguhet në janar. Por jo për ata në master.

Rama: “Masteri financohet nga puna, ministritë porosisin studimet, porosisin konsulencat, një punë të posaçme. Ne do vendosim disa bixhete modeste për ministritë”.

Revolta e studentëve i përgjysmoi auditorin shefit të qeverisë.

Studentja: “Nuk na ulni dot poshtë duke thënë do t’ju heqim prindërit nga puna, nuk doni ta dëgjoni popullin, doni të flisni vetë. Ti s’po bën dialog, ti po bën monolog. Kush do të dëgjojë monolog le të rrijë këtu”.

Takimi vijoi edhe për mbi 60 minuta. Takimi mes shefit të qeverisë dhe studentëve në Universitetin e Inxhinieri – Ndërtimit nuk prodhoi asnjë lajm mbi çfarë studentët kërkojnë apo çfarë qeveria ofron. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!