Rama sulmon Bashën: Dasmorët kanë vënë përpara një dhëndër që vonohet një orë

schedule19:10 - 25 Mars, 2021

schedule 19:10 - 25 Mars, 2021

Në fjalën e hapjes së fushatës elektorale të PS, kryeministri Edi Rama zgjodhi të sulmojë kryedemokratin Lulzim Basha duke e cilësuar si dhëndër që vjen me vonesë në takim. Rama u shpreh se demokratët janë shkaktarët e vonesave të Shqipërisë, përfshirë këtu edhe të takimit elektoral të PS.

“Këtu ka përgjegjshmëri qytetare, njerëzore, atje sundon papërgjegjshmëria. Këtu shëndeti i njerëzve është edhe njëherë si çdo ditë mbi gjithçka tjetër dhe mbi partinë kurse atje partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve. Këtu ka respekt për mjedisin, atje ka ndotje dhe zhurmë. Si mund të mblidhen në këtë kohë, ku dallimin e madh mes përgjegjësisë dhe mungesës së saj e bën një akt i thjeshtë që është akti i të qenurit i vëmendshëm.

Dasmorë që kanë vënë përpara një dhëndër që vonohet një orë. Merre me mend çfarë mund të presësh nga dikush që lë një orë në të ftohtë njerëzit që i mbledh vetë, Po flinte gjumë. Takimin e la në orën 5. Ajo nuk është ora për të pritur njerëzit por për t’u zgjuar. Këtu ka dëshirë për të folur me fjalë se njeriun nga kafsha fjala e ndan. Atje në mungesë të dhëndrit dasmorët dëgjonin britma dhe pasthirrma. Si mund të pretendohet që në shekullin e 21, që të merret në dorë e gjithë kjo Shqipëri dhe të qeveriset me britma. Atyre që shohin këto dy kartolina, u them nëse doni të dini çfarë e pret këtë vend, nëse ata vijnë në krye, shikoni sheshin Nënë Tereza. Bllokim.

Dhe ai që duhet të lirojë këtë bllokim është kapësi për këmbësh i të gjithë atyre. Por të shohësh vonesën është domethënëse. Se ata janë shkaktarë të të gjitha vonesave, edhe të takimit tonë. Se gjithmonë ka pasur një traditë, në një orë njëri, në një orë tjetri. Ne e ndryshojmë ata vijnë te ora jonë. Vonuam pak minuta, por ne nuk mund të presim.

Shqipëria nuk mund të vonohet më prej tyre. Këtu ka qytetari dhe një përmasë njerëzore të të qenurit së bashku. Në këtë kartolinë, shqiptarët shohin disa njerëz të mbledhur me kujdes dhe distanca. Shikojnë diçka që është e vështirë të deshifrohet deri në fund. Si mund të ndodhë kur sot treçereku i vendeve të Europës janë me ngjyrë të kuqe të mbyllura. As dyqane, as grumbullime. Të gjithë në shtëpi. Ndërkohë që këtu janë dy botë”, tha Rama./mv.abcnews.al