“Rama s’po bën fushatë me turin nëpër Shqipëri,” Klosi: Opozita e shkrehur zor se merr ndonjë bashki

schedule20:21 - 9 Nëntor, 2022

schedule 20:21 - 9 Nëntor, 2022

Kryeministri Edi Rama prej ditësh tashmë ka nisur një tur takimesh me qytetarët nëpër bashkitë e vendit. Megjithatë, për Blendi Klosin ky nuk është një tur i parakohshëm elektoral. I ftuar në “Radari Informativ” në ABC, deputeti socialist u shpreh se kryesocialisti Edi Rama është i pari në atë parti që nuk pushon asnjëherë.

Sipas tij, Rama po bën politikë, por jo në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Për Klosin opozita zor se mund të quhet një “rrezik” serioz për garën pasi, shton ai, “vështirë se mund të marrë bashki të qenësishme.”

“Kam që nga 2005 që jam sekretar i kësaj partie dhe kemi shkuar kudo, diskutojmë debatojnë. Sot jemi në të njëjtin profil në tokë. Nuk jemi në fushatë, jemi në një dialog të madh me qytetarët edhe në kuadër të projekt buxhetit. Rama padyshim qe del për të bërë politikë. Jemi në një fushatë të pandërprerë për të takuar njerëzit, për të dialoguar me ta. PS është e fortë edhe fiton sepse punon. Ky parlament i boshatisur sot është fakt i situatës. Ne besimin e testuam para një viti. Një vit më parë u testuam, do testohemi prapë më 14 maj. Siç e pashë sot opozitën, është një opozitë e shkrehur që vështirë se mund të marrë bashki të qenësishme.”

Ndërsa, duke u kthyer te çështjet e ditës, ndërsa komentonte deklaratat e bëra nga ambasadori britanik Alastair King Smith i cili u shpreh se emigrantët shqiptarë meritojnë respekt, Klosi qartësoi se raportet e vendit tonë me qeverinë britanike nuk kanë ndryshuar.

“Ka qytetarë që janë larguar, ka edhe nga ata që janë kthyer…Ajo që kërkojmë të gjithë është se fakti që ka disa që kanë kryer vepra penale, të godasë të gjithë komunitetin. La Manshi është një ofertë e re punësimi në Britani të Madhe. Në Shqipëri që në vitet ‘90 kanë ikur dhe do të vijojnë të ikin. Kjo ndodh edhe vetë në Britani apo në vende të mëdha. Po të kishim lëvizjen e lirë si në BE, shkojnë vinë, s’ka më valë emigrantësh.”

Kurse, i pyetur për fjalorin e përdorur nga kreu i qeverisë Rama në seancën e sotme plenare, deputeti socialist u shpreh se në asnjë rast, kryesocialisti nuk e kaloi etikën.

“Ka pasur debate shumë herë më të fortë. Rama ka një fjalor super të kontrolluar për të mos kaluar jashtë etikës.” /abcnews.al/