Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë prezantimit të programit për Arsimin se ndryshe nga koha e qeverisjes së Partisë Demokratike, sot askush nuk i lëviz dot mësuesit nga vendi i punës për dikë me lekë apo mbiemër të njohur. E njëjta gjë, theksoi ai, ndodh edhe me nxënësit që nuk mund të zënë një vend në Universitet vetëm se janë fëmijë politikanësh apo VIP-ash.
“Askush sot nuk i lëviz dot mësuesit që vendin ta zërë dikush me lekë apo me një mbiemër të njohur, Jam shumë krenar që kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet nuk ka shans të hyjë. Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani, nuk ka shans ta parakalojë. Pasi sistemi i hyrjes në Universitet është i pamanipulueshëm.
Ka shumë si këta që u hodhën përpjetë kur ne imponuam këtë sistem të ri hyrës. Asnjë ankesë nga të interesuarit, nga maturantët fitues. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sat ë shohësh kur fëmijët e republikës nuk ndahen më deri kur ne erdhëm në drejtimin e arsimit në të pasur dhe të varfër dhe hyjnë në auditore vetëm me forcat e tyre. Nuk ka forcë që e ndalon këtë.
Nuk hyjnë në auditore vitrinash të rreme apo kristalesh false, por në universitete të akredituar ndërkombëtarisht. Sot kemi hyrë në fazën e hapjes së programit të studimit sipas nevojave të tregut. Shqipëria duhet t’i japë të rinjve një perspektivë punësimi.
Ne e kthyem drejtimin e Arsimit profesional dhe e bëmë këtë në kushtet kur arsimin profesional e gjetëm në varr. Programet profesionale janë me prioritet kombëtar dhe do i çojmë në një nivel tjetër. Shqipëria do mbushë boshllëkun e frikshëm që krijuan vitet jo shumë të largëta”, tha Rama./mv.abcnews.al