Rama: S’ka pushtet duke penguar negociatat

schedule12:04 - 11 Prill, 2019

schedule 12:04 - 11 Prill, 2019

Nga foltorja e Kuvendit Kryeministri Rama, edhe një herë theksoi se PD dhe LSI hedhin baltë mbi Shqipërinë me qëllim bllokimin e hapjes së negociatave. Ai u shpreh se me këto akte opozita do ta marrë pushtetin, gjë që sipas Kryeministrit nuk do të ndodhë.

Kam bindjen se ata të cilët nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke penguar negociatat do marrin pushtetin në Shqipëri do të zhgënjehen thellë, siç janë zhgënjyer edhe në të shkuarën, sepse jemi ne që do t’i hapim negociatat, jemi ne që do t’i fitojmë zgjedhjet dhe jemi ne që do ta fusim Shqipërinë në BE. Mbajeni mend këtë që po ju them sot. Nuk e di unë kur do të futet Shqipëria në BE, sepse kjo nuk varet vetëm nga ne, ju e shikoni vetë se çfarë debatesh bëhen tani për fushatën evropiane dhe bëjnë debat a futet a nuk futet njëri shtet apo tjetri në BE deri në vitin 2025. Unë nuk e di kur do të ndodhë, por di që deri kur të ndodhë, PS do jetë këtu dhe do të jetë shumicë”, tha Rama.

Vendimi për hapjen apo jo të negociatave, tha ai, i takon Këshillit të Europës.

“Pritja jonë për çeljen e negociatave nuk lidhet me sa kemi bërë ne por sa janë të tjerët që të bëjnë në betejën e brendshme, sidomos në Francë, që kur vjen puna edhe aty duket sikur hahen arra kur flitet. Është e mirëkuptueshme, janë interesa që nuk përputhen në një moment të caktuar. Në diskutimet e KE vendet vijnë si bartëse të interesave të tyre dhe interesat e brenda prevalojnë mbi strategjinë. A do të çelen apo jo negociatat në qershor apo këtë vit, duhet t’i japë përgjigje Këshilli Europian, Komisioni Europian tha se Shqipëria i ka bërë të gjitha ato që duhen”.

Edhe një herë ai ftoi opozitën që të marrë pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore si vëzhguese me të drejtë veto. Rama tha se nuk do asgjësimin e opozitës, por ta mundë me reformën e re zgjedhore në 2021.

“Qëndrimi jonë i qartë është që ata që kanë hedhur baltë kanë ikur, janë në të drejtën e tyre që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Nuk është detyra jonë t’i bindim. Detyra që nuk i kemi nuk kemi pse i marrim. Futen apo jo në zgjedhje, detyra jonë është të fitojmë zgjedhjet dhe të vijojmë përpara një betejë të madhe dhe të përballemi me problemet tona.

Mundësitë për dialog apo bashkëpunim, ata kanë një karrige vëzhguesi në Komisionin për Reformën zgjedhore dhe kanë status të veçantë dhe mund të vendosin edhe veton për gjërat që nuk janë dakord, se nuk duam të asgjësohen por t’i mundim në 2021 me rregullat e përcaktuara. Të përmirësojnë edhe ato seflie-t nga veturat dhe në përballjen elektorale të shikojmë çfarë mendon populli”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!