Shtyrja e zgjedhjeve të 30 Qershorit do të ishte shkatërruese për vendin, deklaroi kryeministri Rama gjatë takimit të zhvilluar me simpatizantët e tij në Durrës. Rama teksa përgëzoi punën e kryebashkiakut Vangjush Dako, nuk la jashtë vëmendjes pa thumbuar punën e bashkive që drejtohen nga opozita.
Ndalesa e radhës e kryeministrit Rama ishte takimi me socialistët e Durrësit, ku nuk munguan as superlativat për punën e kryebashkiakut Vangjush Dako
“Vangjushi ka fituar kur në pushtet ishte Saliu, me të gjithë skuadrën më të mirë që ka pasur PD në historinë e saj dhe me të gjithë mekanizmat e pushtetit, që ju e dini shumë mirë si përdoreshin në kohën e Saliut dhe me të gjitha format e mbrapshta, për të cilat si për çdo gjë tjetër nga të akuzuar, ata janë kthyer në akuzues. Durrësi do ta kujtojë me gjithmonë e më shumë respekt, me gjithmonë e më shumë admirim periudhën kur Vangjush Dako drejtoi bashkinë”, tha ai.
Teksa përgëzoi punën e Bashkive të majta, nuk la pa thumbuar ato të Bashkive të drejtuara nga opozita.
“Më kanë përshtypje një fakt në se shkon në bashkitë që drejtohen nga socialistët janë të pastra, d.m.th. pastrohet, ka pastërti. Ndërmarrjet e pastrimit, qofshin private, qofshin bashkiake sipas rastit pastrojnë qytetin. Nëse shkon në bashkitë që drejtohen nga demokratët të bën përshtypje se janë pis, nuk pastrohen.
Është e pabesueshme se çfarë pisllëku ka Shkodra, se sa e papastër është, për të mos hyrë tek të tjerat. Ama ky është vendi për të thënë që, në këto zgjedhje, ne kemi humbur një shans, një mundësi, një rast për të pasur një garë, ku do të ishte për ne kënaqësi e madhe sfida reale e zgjedhjeve me kundërshtarët tanë përballë”, tha Rama.
Në takimin me durrsakët Rama nuk la pa përmendur sërish vendimin e Metës për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit dhe protestat e opozitës.
“Ata e dinë shumë mirë që me ne nuk fitojnë dot, se e kanë thënë sa të jetë Edi Rama aty ne nuk fitojmë dot. Nuk është se ne po i marrim të gjitha. Këta na i lanë në dorë. Tani si të themi ne meqë ju na i latë në dorë ne po ikim fare? Kjo është arseja pse dhunës në rrugë i shkon paralel dhuna që ushtrohet nga zyra e Presidentit të Republikës. Andej ata sulmojnë, këtej del Ilir Meta thotë anuloj zgjedhjet se do bëhet nami. Po kush do e bëjë namin? Nuk i njeh ti ata që do e bëjnë namin? ”
Sipas kryeministrit më 30 qershor do të fitojë populli dhe jo tekat e opozitës.
“Dil atje në fushë dhe na mund me votë por nuk mund të thuash, ose ikni ju, ose kjo punë nuk do bëhet se po nuk ikët ju unë nuk bëhem ai që dua. Por jo, nuk bëhesh, kaq.
Kam një përshtypje, nuk e di por do ta shikojmë, që zgjedhjet do bëhen në datë 30 qershor, kjo nuk diskutohet por kam një përshtypje që të dyja palët do fitojnë. Kemi për ta parë, ne do fitojmë sepse zgjedhjet do bëhen, pra popullin dhe Shqipërinë peng kush nuk ka për t’i marrë dot por jam i bindur që priteni, zëreni se po e shoh tani para syve, do dali Lulit, do thotë fitore. Do dali do thotë fitore, do t’i numërojë të gjithë ata që janë ashtë shtetit, të gjithë ata që do shkojnë në plazh atë ditë, të gjithë ata që mund të mos vijnë të votojnë se do thonë këtu nuk ka kundërshtar, është e fituar. Dhe gjithë demokratët që do donin të vinin por thonë nuk po shkojmë se po na shohin, e do thotë këta janë të mitë, fitore”. /ABC News Albania 24/7