DURRËS- Kryeministri Edi Rama, gjatë diskutimit në mbledhjen me kryebashkiakët, tha se nuk do ketë asnjë tolerim për strukturat vendore që braktisin misionin e tyre dhe nuk u shërbejnë qytetarëve.
Ai shkundi të zgjedhurit vendorë, ndërsa u kërkoi të hapin sytë dhe t’u rrinë në kokë punëve të tyre.
Më tej, Rama tha se duhet të jenë kryetarët e bashkive dhe strukturat e tyre, që t’ju vijnë në ndihmë qytetarëve për “Paketën e Maleve”.
“Duhet t’u thoni hajde se do t’ju ndihmojmë ne. Është bërë një paketë, që është më e thjeshta e mundshme. Ju mjafton një vërtetim nga këshilli bashkiak se kjo tokë është e kësaj familje dhe nuk ka kontestim dhe marrin lejen e ndërtimit dhe në momentin kur e ndërtojnë bujtinë, fermën dhe marrin edhe hipotekën.
Këto të gjitha kërkojnë një rol proaktiv të bashkive, që gjërat , projektet, iniciativat e qeverisë, gatishmëria e qeverisë për të mbështetur njerëzit të mos trajtohen si bar i varrezave të Elbasanit. Bari i varrezave të Elbasanit ka potencialin të bëhet kallam dhe të bëjnë varrezat si kallamishte. Bari është lënë pa u prerë. Nëse bari është i qethur siç duhet dhe zjarri nuk merr qiellin.
Është e pakonceptueshme, që të ndodhin gjëra që do t’i faleshin kryetarit të bashkisë së Elbasanit, nëse Elbasani do ishte sa Shangai, një qytet që mund ta përshkosh në këmbë cep më cep dhe mos të dijë kryetari i bashkisë së çfarë ndodh, mos të jetë i informuar për çdo tullë që vihen në qytet, është e pamundur.
Nëse i ka sytë hapur dhe nëse i rri mbi kokë gjërave. Në Elbasan dhe Lushnjë duhet bërë e njëjta gjë, si në bashkitë ku deri tani është bërë pezullimi i plotë dhe shkarkimi i drejtorëve me dorëheqje për t’ju dhënë mundësinë atyre dhe të tjerëve të provojnë se janë për atë post.
Duhet shkundur e gjithë kjo pemë. Janë dhjetë mandate në Elbasan kryetar, janë një barrëqë po të them mua personalisht, bashkë me 12 mandatet e Fierit, 9 në Vlorë më ka marrë edhe ato orë që flija gjumë. Duhet të të lënë pa gjumë ty, jo të flesh më shumë. Nuk jemi më të fortë, jemi më të ekspozuar karshi përgjegjësisë dhe njerëzve që na i kanë dhënë këto mandate dhe duan dhjetëfishin nga ne”, tha ai./abcnews.al