Kryeministri Edi Rama reagoi sërish pas dekretimit të datës së re të zgjedhjeve që bëri Presidenti Ilir Meta. Kreu i qeverisë e krahason këtë të fundit me Haxhi Qamilin. “Data e re e Baba Xhikes është një arsye e fortë më shumë, për të votuar të dielën”, shkruan Rama në Facebook.
“Haxhiu, ai i pari, Qamili pra, mbante në xhep një vulë, e cila ishte një togëz rripi që trimat e tij e kishin plaçkitur, mes shumë sendesh të karvaneve tregtare. Mbi të shkruhej greqisht “Kompani kafeje Export-Import” dhe dekretet e Haxhiut vuloseshin me të, pa e ditur as ai vetë ç’shkruhej mbi të! Ndërsa Haxhiu tjetër, Salvatori ynë Qametaj ose ndryshe, Presidenti ynë në shkarkim e sipër, e di çfarë shkruhet mbi Vulën e Republikës, po s’di hiç çfarë bën me dekretet për llogari të Saliut, Lulit e Monikës. Baba Haxhiu u ngjall, po zgjedhjet nuk i vret dot dhe data e re e Baba Xhikes është një arsye e fortë më shumë, për të votuar të dielën, më 30 QERSHOR; qetësisht e vendosmërisht, si shqiptarë pa dallim e as ngurrim, kundër karnavaleve të politikës pa din e as iman”, shprehet Rama.
Presidenti Ilir Meta dekretoi këtë të enjte një datë të re, atë të 13 Tetorit, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale./abcnews.al