Rama: Që prej së shtunës kemi një problem me Presidentin Meta

schedule10:40 - 6 Nëntor, 2018

schedule 10:40 - 6 Nëntor, 2018

Në një fjalim në parlament të martën, Kryeministri Edi Rama tha se që prej së shtunës, mazhoranca ka një problem me Presidentin e Republikës.

Shumë nga ne kishim votuar për Ilir Metën President. Nuk e kishim shumicën që kemi sot, por unë e kisha bindjen e plotë se Meta ishte kandidatura më e përshtatshme për President. Për hir të së vërtetës, që kur hyri në Presidencë, pas dalldisjes fatkeqe me flamurin e LSI, ai ka respektuar Kushtetutën, ka peshuar fjalën dhe ka baraspeshuar qëndrimin. Por që prej të shtunës mbrëma, ne kemi një problem me Presidentin e Republikës, ose më saktë një problem i krijuar prej tij na ka mbledhur sot këtu.

Askush tjetër, përveç popullit, as e ka dhe as e merr dot të drejtën të na pengojë në plotësimin e mandatit tonë kushtetues. Kjo vlen edhe për Presidentin e Republikës. Kushtetuta i ka të përcaktuara 12 kompetencat e Presidentit të Republikës dhe aty nuk figuron gjëkundi e drejta e refuzimit të një ministri që gëzon besimin e shumicës.

Rama tha se nëse do të kishte ekzistuar një e drejtë e tillë, atë do ta kishte zbuluar paraardhësi i Metës, Bujar Nishani.

Deklaratat e Ramës vijnë pas refuzimit të Presidentit Meta për të dekretuar Sandër Lleshin në postin e Minisitrit të Brendshëm. Rama i’u kundërpërgjigj Presidentit Meta duke theksuar se do ta emërojë Lleshin zv.ministër me kompetencat e Ministrit të Brendshëm.

Në përgjigje të deklaratave se Presidenti Meta nuk do të lejojë asnjë përpjekje për të sfiduar institucionin e kreut të shtetit, Rama tha se “nuk po bëj asnjë përpjekje për të sfiduar autoritetin e Presidentit, por as në mendje nuk do ta çoja dot një akt kaq të padobishëm prej tij. Këto ia kam thënë Presidentit e Republikës në një diskutim të hapur.

Unë vetë nuk e kam humbur besimin se Presidenti nuk e ka thënë akoma fjalën e fundit për këtë temë, edhe pse afati ka skaduar. Ashtu siç nuk e kisha humbur besimin se Bendo do të dekretohej në krye të SHISH. Sot Helidon Bendo u dekretua në krye të SHISH.” /tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!