Nën simbolikën e 12 yjeve të flamurit të Bashkimit Europian dhe me sloganin “Shqipëria në 2030 në BE vetëm me Edin dhe PS, kryesocialisti Rama i parapriu hapjes zyrtare të fushatës me një takim me gratë socialiste, i zhvilluar paralelisht në 12 qarqe.
Duke sjellë ne vemendje pjesëmarrjen e grave në politikë ndër vite, Rama tha se edhe në 11 maj, vota e zonjave do të jetë vendimtare për PS.
“Flamurin e fitores tonë, që e keni qëndisur me durim, do të mbulojë të gjithë hartën elektorale të 11 majit. Mëngjesin e 12 majit, Shqipëria do të gdhihet e mbuluar me rozë, që është ngjyra e grave dhe vajzave, por edhe e PS”, tha Rama.
Rama paralajmëroi se nuk do të jetë e largët që Shqipëria do të ketë një grua kryeministre e cila do të vijë nga radhët e socialistëve.
“Jam i bindur që nuk është aq e largët dita sa mund të dukej deri dje kur Shqipëria do të jetë edhe gruan e parë kryeministre, dhe as nuk e diskutoj fare se do të jetë socialiste”, u shpreh Rama.
Ndërsa mandatin e katërt qeverisës, Edi Rama tha se kërkon për ti dhënë shqiptarëve pasaportën europiane.
Kryesocialisti nuk la pa shigjetuar as kundërshtarët politike.
“Kanë paguar me puplat e kokës dhe trupit të bufit edhe një këshilltar që e quajnë magjistari dhe trullosin kë të mundin. Erdhi sherifi, erdhi Latifi. Bufi e di më mirë se unë, se të gjithë, që vetëm një magji e shpëton nga disfata”, shtoi kryesocialisti Rama.
Të shtunën e 12 prillit, në orën 12 dhe nën simbolikën e 12 yjeve të flamurit të Bashkimit Europian, socialistët do të mblidhen në Sheshin Skënderbej në mitingun hapës të fushatës, i cili do të zhvillohet me lidhje të drejtpërdrejta në të gjitha qarqet.
/abcnews.al/

