Në një dalje për mediat, kryeministri Edi Rama dhe drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano kanë bërë publike rezultatet e Këshillimit Kombëtar.
Gjatë pyetje-përgjigjeve me gazetarët, kreu i qeverisë u pyet edhe në lidhje me aferën e inceneratorëve dhe mundësisë për rishikim të kontratave për sa kohë që një ish-ministër ndodhet pas hekurave dhe një ish-deputet socialist po hetohet.
Kryeministri tha se ligjërisht rishikimi i kontratave është i pamundur, për sa kohë që një institucion i pavarur i drejtësisë nuk ka ende një vendim për çështjen.
Kreu i qeverisë theksoi se si individ i zhveshur nga përgjegjësitë që i kërkon zyra e kryeministrit ndan të njëjtat shqetësime, por shtoi se procesi po vijon dhe nëse do të merrej një vendim anulimi për kontratat do të ishte shkelje e ligjit.
“Shteti, qeveria, nuk vepron si gazetë, as në bazë të reagimit në dukje krejt të dukshëm individual. Si individ, jashtë kësaj zyre mendoj si ju. Por ligjërisht, kjo nuk bëhet dot sepse kemi të bëjmë me një proces që vazhdon. Jo me dënim përfundimtar të formës së prerë. Nëse bëjmë këtë që si reagim, ne shkelim ligjin…Nuk mundet dot qeveria të mbyllë kontrata bazuar në procese që nuk janë përfunduar.” /abcnews.al/