Rama për turizmin: Të huajt na vlerësuan

schedule11:55 - 30 Gusht, 2018

schedule 11:55 - 30 Gusht, 2018

Ky është momenti që sipas kryeministrit Edi Rama turizmi po jep fryte në ekonominë e vendit.

Ku kemi një potencial të jashtëzakonshëm për të rritur ekonomikisht vendin, për të rritur punësimin, për të rritur vlerësimin, pra rrogat, pagat për ata që janë të punësuar në turizëm”, theksoi kryeministri.

Nga Gjiri i Lalëzit ku takoi të rinjtë e projektit “Smile Albania” shefi i qeverise iu përgjigj edhe shqiptarëve kritikë me turizmin në vend.

“Turistët e huaj vijnë në Shqipëri dhe thonë: Shqipëria është shumë e bukur, pushimet janë të lira dhe mikpritja është e jashtëzakonshme. Ndërkohë që shqiptarët që komentojnë thonë, Shqipëria është e shëmtuar, pushimet janë shumë të shtrenjta dhe të gjithë ata që shërbejnë janë për t’u vrarë. Tani, ose turistët e huaj janë nën efektin e drogës që i kemi dhënë ne si qeveri dhe nuk dinë as ku kanë ardhur dhe as çfarë flasin ose pastaj ka një problem me vetë këta që komentojnë”, tha kryeministri i vendit.

Çmimet që ofron Shqipëria përgjatë sezonit turistik kryeministrit nuk i duken të larta.

“Nuk ka çmime të larta që e lënë restorantin bosh apo e lënë hotelin bosh, sepse falimenton. Përderisa ka klientë, konsumatorë e kështu me radhë, atëherë do të thotë që ka një balancë dhe nuk diskutohet që pushimet në Shqipëri janë ende shumë të lira”, u shpreh Rama.

Shefi i qeverisë bëri të ditur gjithashtu se puna përgatitore për sezonin e ardhshëm veror do të nisë që në fund te muajit Shtator. Piketat e para janë vendosur.

“Ne po bëjmë disa përpjekje që janë drejt finalizimit. Duam të vendosim një pikë të përbashkët kontrolli me Greqinë për të lehtësuar shumë hyrjet dhe daljet. Duam të vendosim një pikë të përbashkët kontrolli me Kosovën për të lehtësuar shumë hyrjet dhe daljet në mënyrë që të mos ketë dy palë policë, dy palë kontrolle, e kështu me radhë dhe këto besoj se do të jenë vlerë e shtuar në sezonin e ardhshëm”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri kërkoi edhe sugjerimet e të rinjve te projektit “Smile Albania” për të përmirësuar ofertën turistike sezonin e ardhshëm./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!