Rama për “Telenord”: Italia është lënë vetëm nga BE për emigrantët

schedule11:55 - 28 Gusht, 2018

schedule 11:55 - 28 Gusht, 2018

Kryeministri Rama ka folur përsëri për mediat italiane lidhur me pritjen e refugjatëve të rastit “Diciotti”. Ai kritikon Bashkimin Evropian dhe thotë se ka lënë Italinë të vetme përballë krizës së emigrantëve.

Kryeministri Edi Rama vijon t’i bëjë jehonë pritjes nga Shqipëria të 20 emigrantëve nga Eritrea, pjesë e rastit “Diciotti”, anijes me 137 klandestinë në bord, e cila qëndroi për shumë ditë në portin e Katanias në pritje të një urdhëri për zbarkim nga ministri i Brendshëm, Matteo Salvini. Duke folur për “Telenord”, shefi i qeverisë ka shpjeguar arsyen e pritjes së refugjatëve.

“Italia ka qenë vendi më mirëpritës në Evropë në 30 vitet e fundit, por është lënë vetëm dhe nervat nuk janë më të qëndrueshme. Ne ndërhymë duke shpresuar që Evropa do të bëjë diçka konkrete për të zgjidhur problemin. Një vend i vetëm nuk mund t’ia dalë. Është zhgënjyese të shohësh se si mbahen takimet dhe samitet, por në fund Italia dhe Greqia gjithmonë kanë pak respekt”, është shprehur Rama duke rikujtuar që para disa vitesh ishin shqiptarët në vend të shtetasve nga Eritrea dhe italianë nuk i kanë lënë ata kurrë në mes të detit.

Ndër të tjera kryeministri ka folur edhe për tragjedinë në Urën Morandi në Gjenovë, ku humbën jetën dhe dy shqiptarë.

“Nuk mendojmë kurrë që këto mund të ndodhin, por më pas përballemi me realitetin”, përfundoi Rama./abcnews.al