Në një intervistë për turken, Anadolu, kryeministri Edi Rama ka komentuar fjalët për një kamp luftëtarësh apo refugjatësh në Shqipëri si fantazi që s’mund të ndodhë. Shefi i ekzekutivit gjatë intervistës ka folur edhe për organizatën FETO në Shqipëri si dhe marrëdhënien e tij me presidentin Erdogan.
Kreu i ekzekutivit shqiptar Edi Rama në një intervistë për agjencinë turke të lajmeve Anadolu e ka quajtur “thjeshtësisht fantazi” kampin e refugjatëve të përfolur si qendër rajonale për trajtimin e luftëtarëve.
“Ndërkohë sa i përket një kampi refugjatësh në funksion të Bashkimit Evropian këtu në Shqipëri dhe kjo është një fantazi. Unë as nuk e kam dëgjuar ndonjëherë të artikuluar dhe as nuk e kam menduar ndonjëherë se mund të ndodhë. Ne nuk kemi pasur asnjë propozim për të bërë diçka të tillë dhe as nuk e kemi konsideruar një mundësi të tillë. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë bashkë me tjerët dhe të marrim pjesën që na takon, por nuk jemi të gatshëm që të bëjmë atë që të tjerët nuk duan ta bëjnë, duke qenë shumë më të pasur, duke qenë shumë më të fuqishëm se ne”.
I pyetur lidhur me strukturat e organizatës FETO që veprojnë në Shqipëri, kryeministri pohon se qeveria që drejton është e përkushtuar të mos lejojë influencë negative në arsimin në Shqipëri. Sa i përket marrëdhënies Kosovë – BE, Edi Rama e quajti të turpshëm faktin se shqiptarët e Kosovës edhe sot mbeten të izoluar pa patur mundësinë të lëvizin lirisht.
Kryeministri Rama gjatë intervistës foli edhe për marrëdhënien me presidentin Rexhëp Tayp Erdogan, të cilin deklaron se e ka admiruar për së largu dhe është frymëzuar prej tij në kohën kur drejtontë bashkinë e Stambollit. Pas njohjes së afërmi me të marrëdhënia është ngritur mbi respektin reciprok dhe besimin ndaj njëri tjetrit, theksoi shefi i ekzekutivit./abcnews.al