Rama për Qershorin 2019: Marrja e një date, zgjidhje optimale

schedule21:27 - 27 Qershor, 2018

schedule 21:27 - 27 Qershor, 2018

Në një dalje të posaçme, kryeministri Rama tha se Qershori 2019 është data që i është vënë Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në një ligjëratë 32 minutëshe, shefi i qeverisë iu referua disa herë opozitës me epitete të forta si penguese e këtij procesi.

“Shqipëria mori datën e fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësim dhe bashkë me datën u çel drita jeshile për hyrjen në procesin përgatitor të hapjes së negociatave”.

Këtë lexim për rekomandimin e Këshillit për cështje të përgjithshme të BE, Kryeministri Edi Rama e bëri në prani të ministrave dhe deputetëve të grupit të tij parlamentar.

Ky proces sipas kryeministrit e ka patur një pengesë të fortë, opozitën të cilës nuk ia kurseu epitetet e forta.

“E dhimbshme, por e vërtetë që teksa ne merrnim telefonatat e urimeve nga miqtë evropianë, opozita jonë esadiste me mediat krah saj hidhnin gurët e vulgaritetit të tyre proverbial për t’u prishur shqiptarëve përpjekjen e fund ditës. U shty data, u shty data sepse Europa refuzoi narkoqeverinë. Çfarë vulgariteti, çfarë ligësie ndaj vendit të përbashkët, çfarë pabesie ndaj atyre shqiptarëve që e duan Europën njësoj si të tjerët dhe u kanë besuar këtyre stërnipërve të Esat Pashë tptanit votën në përfaqësimin e tyre ne Kuvendin e Shqipërisë”.

Zhvendosjen me një vit të vendimit për hapjen e negociatave e cilëson si process i zakonshëm, e sërish e shënjestron opozitën

“Vendosja e datës e drita jeshile është absolutisht një zgjidhje optimale kompromisi, e cila e blindon perspektivën europiane të Shqipërisë, jo me llafe progresi, por me një kalendar të miratuar nga Këshilli Evropian.”

Procesi përgatitor për 12 muajt e ardhshëm do udhehiqet nga ministry Bushati. Atyre që flasin për kushte të reja u thotë se nuk ka, por ka kushtëzim

“S’ka kushte të reja për të marrë një datë, por ka një datë për çeljen e negociatavesi një afat drejt të cilit si Shqipëria e Maqedonia janë të kushtëzuara me vijimin e reformave dhe me thellimin e zbatimit që tani ka nisur deri në hapjen e fundit para firmës së anëtarësimit ëhstë e lidhur me përmbushje kushtesh për të qenë një shtet i denjë evropian.

Gjithçka është e lidhur me përmbushje kushtesh. Të gjitha kushtëzimet e kësaj faze janë çka ne do duhej të bënim si me datë si pa datë”

Për dialogun pozitë-opozitë, i nënvizuar në listën e BE për qershorin 2019,  gjen fajtore opozitën, ndërsa e thekson se se afrimi me BE është meritë e qeverisë së tij.

“U bashkuan në Bruksel të majtë e të djathtë, kurse në Shqipëri të djathtët i ranë rrugës qorre të Esat Pashë Toptanit. Mbani mend ishim ne që e bëmë Shqipërinë vend kandidat, jemi ne që do të hapim negociatat e do e bëjmë gati për anëtarësim në BE”.

Pjesë e meritës së lobimit të qeverisë, ishte edhe një listë e gjatë falenderimesh për udhëheqës në vendet e BE, në parlament e komisionin europian, me miq të vjetër e të rinj, si dhe njoftimi për vizitën në Tiranë të Presidentit të Francës Emanuel Makron. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!