Kryeministri Edi Rama i ka quajtur shantazhe të prokurorëve të Berishës, përgjimet e publikuara nga Bild, ku dilte edhe zëri i tij. Kreu i qeverisë i ka kërkuar prokurorisë hetime deri në fund, ndërsa tha se kjo ndërmarrje kriminale do të marrë përgjigjen e merituar në 30 qershor.
Përgjimeve të reja të Bild, kryeministri Edi Rama ju përgjigj nga Twitteri. Ai akuzoi prokurorët se i kanë shërbyer Berishës dhe nuk kanë hetuar.
“Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh,jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria me “zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24. Ky është i gjithi një skandal i turpshëm,i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori+një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë!”.
Kur është vetëm dy javë përpara zgjedhjeve ku duket i vendosur të shkojë, Edi Rama kërkon hetim të thelluar nga prokuroria.
“Nxis prokurorinë të vijojë intensivisht hetimet për të nxjerrë deri në fund ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit,nëse ka të tilla. Por sidoqoftë,kjo ndërmarrje kriminale për të helmuar dynjanë,do ta marrë përgjigjen e merituar në 30 qershor e më tej akoma!”.
Rama pranoi të ishte ai në një prej bisedave më një funksionar lokal të shtabit elektoral, Arben Keshi si dhe shton se bisedën do ta ribënte serish njësoj.
“Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë! Çfarë gënjeshtre:AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë. E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj!Kush ka veshë le të dëgjojë”.
Ndërsa në tjetër postim kreu i qeverisë shqiptare paralajmëron paditjen në një gjykate gjermane të gazetarit te Bild që botoi audio-përgjimet.
“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerëe pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar!”/ABC News Albania 24/7

