I vetmi shqetësim që ka kryeministri për pasojat që mund të shkaktojnë protestat e opozitës është ndikimi në sektorin e turizmit. Ai e shprehu një gjë të tillë jatë inspektimeve që kreu këtë fundjavë në Përmet e Gjirokastër.
Përmeti po bëhet gati të presë turistët. Nëse nuk vijnë, fajtorë janë ata të krahut tjetër politik të kryeministrit Edi Rama.
“Ishalla s’po na dëmton kjo që po ndodh këto ditë. Vetëm atë efekt ka kjo se gjë tjetër s’nxjerrin dot ata. E vetmja gjë është që të dëmtojnë imazhin e vendit, dhe njerëzve që punojnë në këtë vend se këtu punohet shumë me turizëm, punohet shumë me një industri që tani po merr formë mikpritjeje dhe kjo do të ishte një goditje shumë e madhe, por ishalla nuk po ndikon shumë”, tha ai.
Qendra historike e Përmetit është pjesë e programit të Bankës Botërore me vlerë 71 milionë dollarë. Një tjetër investim i rëndësishëm është ai prej 4 milionë eurosh nga buxheti i shtetit, që i ka siguruar 9700 banorëve 24 orë ujë të pijshëm.
“Nuk duhet të ishte lajm, nuk duhet të ishte arsye për të ardhur dhe për të bërë vizitë qeveria këtu, por kjo ishte situata që trashëguam në këtë drejtim, jo vetëm këtu , por edhe në vende të tjera ku po bëjmë investime për të çuar ujin sepse, përveç të tjerash, duam të bëjmë turizëm në këtë zonë, apo në zona të tjera, kur ska ujë është minimale”, tha Rama.
Për kryeministrin Rama, ky është momenti për t’i thënë qytetarëve të Përmetit dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë që zotimet i bëjnë realitet
E shndërruar në një kantier ndërtimi qendra Historike e Gjirokastrës, shpallur në vitin 2005 trashëgimi botërore e UNESCO-s, ka nisur me rikualifikimin e kalldrëmeve karakteristike të Qafës së Pazarit, rehabilitimin e 6 shesheve që lidhen në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit, ndriçimin publik, përmirësimin e hapësirave të gjelbra deri te rrapi 100-vjeçar, simboli që ka shërbyer si pikë takimi për banorët që në vitet ’30.
Kryeministri Rama deklaroi se të gjitha shtëpitë e vjetra jo vetëm të Gjirokastrës, por edhe të Beratit do t’i nënshtrohen projektit të restaurimit për t’u shndërruar më pas edhe në bujtina për vizitorët dhe turistët.
“P.sh., unë dua ta kthej këtë në bujtinë, kam nevojë për një mbështetje financiare dhe po shohim mundësinë ta bëjmë të kombinuar me bankat dhe me buxhet në mënyrë që të jetë një lloj kredie me interesa shumë të ulëta dhe me afat të gjatë që të mund të përballohet me sukses”, tha ai.
Pjesë e projekteve për rivitalizimin e Pazarit është edhe promovimi i produkteve bio nëpërmjet brandit Made in Albania “E dua”. Në ambientet tërësisht të rikonstruktuara me mbështetjen nga Skema Kombëtare përmes një financimi prej 1,9 milionë lekë, ekspozohen produktet bio më tipike të zones, një investim që ka përfshirë fermerët e zonës dhe të rinjtë në mbledhjen e bimëve medicinale dhe aromatike. Kryeministri Rama ka vizituar edhe një kompani, prodhimet e të cilës po depërtojnë edhe në tregjet ndërkombëtare./abcnews.al