Rama për median greke: Do të takohem së shpejti me Tsipras

schedule15:38 - 3 Dhjetor, 2018

schedule 15:38 - 3 Dhjetor, 2018

Një takim i mundshëm pritet të ndodhë së shpejti mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek. Konfirmimi erdhi nga kreu i qeverisë Edi Rama gjatë një intervistë dhënë Agjencisë  shtetërore të lajmeve në Greqi, AMPE.

“Grekët e duan Shqipërinë, shqiptarët e duan Greqinë. Pjesa tjetër është vetëm politike”.

Me këto fjalë e ka përmbledhur marrëdhënien e dy shteteve fqinjë kryeministri Edi Rama. Shpjegimin e bëri në një intervistë me drejtorin e përgjithshëm të agjencisë greke të lajmeve, ANA-MPA, në kuadër të konferencës “News agencies vs Fake News”, që e organizoi Agjencia Telegrafike Shqiptare në Tiranë.

 “Është një marrëdhënie historike dhe tradicionale e fqinjësisë dhe, siç gjithmonë ndodh me fqinjët, nuk është gjithçka perfekte. E dimë këtë nga rajoni ynë, me çdo fqinj, qoftë në fshat apo në qytet, ose midis vendeve, është gjithmonë e njëjta marrëdhënie”.

Duke qeshur kreu i qeverisë ia ilustron me shembullin e ndeshjes së futbollit.

 “Mund ta kuptoni plotësisht këtë, nëse shikoni një ndeshje futbolli midis fqinjëve, është si…luftë”.

Megjithatë kryeministrit Rama nuk i ka munguar gatishmëria për të përmirësuar këtë marrëdhënie. Ai ka pohuar gjithashtu edhe mundësinë e një takimi me homologun grek Aleksis Tsipras.

“Pritet të takohemi së shpejti. Nuk e di se ku, në Tiranë apo në Athinë, por pritet të takohemi së shpejti. Jemi në një proces të një dialogu shumë intensiv dhe të diskutimeve për shumë çështje, që mbulojnë shumë vite, si dhe të çështjeve të tjera që kurrë nuk janë shtruar me vullnet të plotë, kurajo dhe vendosmëri për t’i zgjidhur. Unë mendoj se ne jemi shumë afër zgjidhjes së gjithë këtyre çështjeve dhe kjo do të ishte e mrekullueshme”.

I vetëdijshëm është shprehur kreu i qeverisë shqiptare edhe gjërat që nuk janë pozitive por sipas tij më e rëndësishme është që mes popujve nuk ka armiqësi. /abcnews.al