Meta e ktheu, Rama njofton në Abc News se do të vijojë me paketën “anti-shpifje”

schedule12:30 - 6 Maj, 2020

schedule 12:30 - 6 Maj, 2020

Kryeministri Edi Rama në një intervistë LIVE me gazetarin Enkel Demi në Abc News.

Rama foli edhe për ligjin  anti-shpifje, i cili është kritikuar së tepërmi nga KiE por edhe nga shoqatat e mediave në vend, dhe jashtë vendit.

Rama paralajmëroi vijimin me paketën “anti-shpifje” edhe pse ajo i është kthyer sërisht Kuvendit nga Presidenti Meta.

Rama fillimisht u pyet për raportin e Freedom House, sipas të cilit, Shqipëria është përkeqësuar sa i përket lirisë së medias këtë vit krahasuar me atë të vitit të shkuar.

Kryeministri tha se nuk e ka parë raportin, ndërkohë që theksoi se në vend ka një mori shpifjesh nga gazetarët, të cilat sipas tij nuk janë ndëshkuar.

Insistimit të Demit, që Rama të japë emrat e gazetarëve që sipas tij shpifin, kryeministri nuk iu përgjigj, duke theksuar se nuk është aty për të dhënë emra.

Rama u pyet edhe për videon e shpërndarë nga ai në Facebook, në fillimet e Pandemisë sipas të cilit policia i rrihte ata që nuk qëndronin në karantinë.

Mirëpo, rezultoi se në fakt videoja ishte filmuar nga protestat në Algjeri.

Në lidhje me këtë, kryeministri tha se kishte kërkuar ndjesë, dhe se videoja i kishte ardhur në një mënyrë të gabuar.

Pjesë nga diskutimi:

Rama: Media në Shqipëri është një hapëesirë e madhe ku siç ka gjëra me vlerë ka edhe një shumicë shpifjesh përditë që kanë thjesht jo vetëm produkt i gazetarëve.

Demi: Siç ndodhi me videon në Spanjë?

Rama: Ajo ishte një lapsus

Demi: Për në është shpifje

Rama: Jo është lapsus, dhe kërkova ndjesë duke e shpjeguar si kishte ndodhur.

Demi: Këtu i njollosni të gjithë, unë për shembull unë nuk shpif

Rama: Është njësoj për politikanët, që nuk janë të gjithë njësoj, kështu ndodh edhe me gazetarët. Edhe pemët nuk janë njëlloj.

Demi: Po të pranoni një këshillë nga ana ime, mos i fusni të gjithë në një “thes”.

Rama: Kjo është e vërtetë. Niveli i shpifjes në Shqipëri ndoshta është më i larti në planet.

Demi: Kjo që sapo thatë, do të thotë se do të hiqni dorë nga ligji i antishpifjes?

Rama: Ai ligj ka lidhje shumë pak, ose aspak, me atë që është thënë në media. Ai ligj do të vazhdohet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!