Rama për Associated Press: Qëllimi i opozitës, pengimi i negociatave

schedule18:50 - 21 Qershor, 2019

schedule 18:50 - 21 Qershor, 2019

Në një intervistë për “Associated Press”, kryeministri Edi Rama ka përsëritur se qëllimi i opozitës është që përmes protestave të saj të pengojë hapjen e negociatave me BE-në. Gjithashtu, Rama ka ritheksuar se eksponentët e opozitës i druhen reformës në drejtësi, që do t’i japë sipas tij fund epokës së pandëshkueshmërisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi të premten se qëllimi kryesor i opozitës është të pengojë përpjekjet e vendit për të arritur hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Në një intervistë për “Associated Pres”, Rama tha se është i vendosur që zgjedhjet lokale të mbahen më 30 qershor, pavarësisht protestave të opozitës që mbahen që prej gjysmës së shkurtit.

“Gjithçka bëhet për të ndikuar negativisht, për t’i treguar Europës se ky vend nuk ka stabilitet dhe se nuk meriton të trajtohet seriozisht”, tha Rama, duke iu referuar akteve të dhunës të verifikuara në protesta. Gjatë intervistës, kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër veçse të dëgjohet zëri i popullit dhe shtoi se, do të përsërisë thirrjet për një dialog pa kushte vetëm pas zgjedhjeve.

“Argumentet e opozitës nuk qëndrojnë. Ajo ka vetëm një plan të qartë, të shkatërrojë procesin politik, procesin e negociatave me BE-në”, vijoi Rama. Ai përsëriti se krerët e opozitës druhen se hapja e negociatave me Unionin do të hapë edhe një perspektivë të re për drejtësinë, që mund të gjykojë zyrtarët e lartë të dyshuar për korrupsion.

“Vendi ynë duhet të provojë se është një shtet ku sistemi i drejtësisë nuk e ka problem të padisë, të dënojë dhe të parandalojë aktivitetet kriminale të askujt”, tha Rama. Ai shtoi se, koha e pandëshkueshmërisë do të mbarojë dhe ky është problemi i vërtetë i opozitës. “Asoshiejtid Pres” shton më tej se protestat e opozitës janë bërë të dhunshme, me demonstruesit që kanë sulmuar forcat e policisë, që nga ana e saj është përgjigjur me gaz lotsjellës./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!