Rama paralajmëron spostimin e portit të Durrësit: Investime në tre qytete bregdetare

schedule11:04 - 21 Tetor, 2020

schedule 11:04 - 21 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama foli për tre shtylla kryesore që për investimin e tyre do të thithen fonde nga Bashkimi Europian. Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë tha se tre shtyllat kryesore janë infrastruktura, energjia dhe dixhitalizimi.

“Për të materializuar një transformim të integruar për të cilin do të na ndihmojë plani i ri i investimeve të KE, që ka tre shtylla, infrastrukturën me rrjetet e transportit hekurudhor dhe patjetër të rrugëve automobilistike.

Energjia, ku Shqipëria ka një pozicion kyç dhe ka një avantazh të rëndësishëm në raport me vendet e tjera të rajonit. Shqipëria ka një plan të qartë për shtrirjen e infrastrukturës së gazit qoftë në veri që shkon në Mal të Zi Kroaci dhe më pas në rrjetet europiane të gazit, qoftë me degëzimet e tjera, duke filluar nga degëzimi i Kosovës.

Dixhitalizimi, ku bëhet fjalë për një ndërhyrje masive për të fuqizuar ndërlidhjen dixhitale në rajon. Të tre këtoi shtylla kanë në thelb kompetentin e imapktit rajonal, por janë shtylla që do të ngrihen individualisht në cdo vend”, u shpreh kryeministri.

Rama tha se po përgatitin një thirrje publike për ekspertët shqiptarë që janë jashtë vendit.

“Jemi duke përgatitur një thirrje publike për ekspertet shqiptarë jashtë vendit që do të duan të bëhen pjesë e kësaj përpjekje dhe të  integrohen në skuadrën e ekselencës që do ngrëmë dhe të fillojmë të thithim fondet nga buxheti evroipian dhe për të mundur të shohim zbatimin në periudhën 2021-2023 si procese që përfshijnë këtë mandat dhe këtë plan buxhetor të komisionit të ri evropian”, tha Rama.

Ndërkohë kryeministri Rama deklaroi se javën e ardhshme do të hidhet në garë për projektin e portit të ri të Durrësit duke paralajmëruar edhe spostimin e tij.

“Dua të nënvizoj se krahas kantiereve të infrastrukturës rrugore, ne kemi në proces disa kantiere të mëdha të transformimit të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale. Po bëhet një punë e përditshme me orë të zgjatura  për aeroportin e Kukësit edhe pse faza përmbyllëse e punimeve dhe mundësisht fillimi i do të kërkojë disa muaj, jemi duke punuar çdo ditë dhe në fakt dita ime nis me ministren dhe mbyllet po me ministren për të carë shtegun.

Procesi i garës për aeroportin e Vlorës është ndërprerë pas pandemisë ndërkohë që presim të vijojmë së shpejti. Me të ,mbyllur procesin e Vlorës, ne jemi gatoi të lancojmë procesin për aeroportin e Sarandës por strategjia jonë është që të bëhen hap pas hapi dhe jo bashkë menjëherë.

Aeroporti i Sarandës do të jetë më i vogël por me impakt për turizmin. Por Vlora është strategjike. Me këto 4 aeroporte, ne hyjmë në një epokë të re, në një kanal të ri ekonomik që hapet me impakt jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën.

Së shpejti do të fillojmë transformimin e madh të Durrësit, plani ynë është të spostojmë portin e Durrësit, që është një infrastrukturë e dalë kohe prej kohësh me standarde mjedisore të ulta dhe faktikisht pengon gjithmonë e më shqetësuese hedhjen e një hapi për një epokë tjetër në Durrës.

Ne jemi në diskutime të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë, flas për shtete dhe shpresojmë që herët të kemi një marrëveshje shtetërore që do të jetë investimi më i madh në Shqipëri, natyrisht në një formulë bashkëpunimi me shtetin. Në javën që vjen do të hedhim në një garë ndërkombëtare portin e ri të Durrësit.

Po kështu do të bëjmë edhe me Vlorën, porti ekzistues është një infrastrukturë  me impakt negativ dhe vizioni i zhvillimit të mëtejshëm të vijës bregdetare përfshin një port turistik që do të jetë aty për të krijuar një kanal të ri kontakti me Vlorën sikundër me Durrësin.

Edhe për Vlorën jemi gati për një proces ku do mund të sistemojmë me standarde bashkëkohore portin e shërbimeve. Në pak javë do të mund të fillojmë dhe të japim të gjithë autorizimet për fillimin portit të tretë në Sarandë gjë për të cilin kemi marrë një propozim fantastik dhe ndryshon aty gjithçka”, tha Kryeministri.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!