Kryeministri Rama informoi sot grupin parlamentar socialist lidhur me rezultatet e takimeve që pati javën e kaluar me zyrtarë të lartë në Bruksel, për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Rama foli para deputetëve edhe për çështjen e prokurorit të përkohshëm, duke i bërë sërish ftesë për dialog kreut demokrat Lulzim Basha.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, Kryeministri Rama i bëri edhe njëherë thirrje opozitës për zgjidhjen me mirëkuptim të çështjes së kryeprokurorit të përkohshëm, në funksion të integrimit të vend. “I lutem Lulzim Bashës që të marrë përgjegjësinë që të udhëheqë opozitën në drejtimin e duhur, që është çelja e negociatave”, tha Rama. Por ai shtoi se nëse opozita nuk shfaq interes, mazhoranca do ta zgjedhë me votat e saj Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm.
Pas kthimit nga Brukseli, Edi Rama nuk e fshehu optimizmin para grupit parlamentar socialist. Shqipëria është më afër se asnjëherë çeljes së negociatave të anëtarësimit me BE, pohoi Kryeministri.
Nga mbledhja e grupit të PS-së, Rama i bëri edhe njëherë thirrje opozitës për të zgjidhur me mirëkuptim çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, për të hequr çdo alibi që mund të përdorej për të shtyrë procesin e integrimit të vendit.
Nga thirrja për rivalin kaloi te lutjet, ndërsa shpjegoi se Pakti për Europën që I propozon opozitës nuk do të thotë rrafshim i debatit të brendshëm, që do të cënonte demokracinë.
Për çështjen e kryeprokurorit të përkohshëm, deputetët socialistë u njohën nga kreun i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, mbi procedurat e ndjekura, ndërsa nuk munguan prej tij akuzat në adresë të opozitës, për vonesat në krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, siç është Këshilli I Lartë I Prokurorisë.
Manja tha se reforma në drejtësi nuk parashikon zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit aktual dhe mos veprimi i Kuvendit me zgjedhjen e një prokurori të përgjithshëm të përkohshëm, do ta vinte këtë institucion në kushtet e shkeljes së Kushtetutës./abcnews.al