“Rama paguan mirë që opozita të flejë,” Meta-anëtarëve të partisë: Më latë pa dashje vetëm për 5 vite kur po mbroja Kushtetutën

schedule11:53 - 27 Korrik, 2022

schedule 11:53 - 27 Korrik, 2022

“Beteja e Stalingradit për të shpëtuar Shqipërinë ka filluar.” Kështu u tha Ilir Meta anëtarëve të Partisë së Lirisë në mbledhjen e parë të Komitetit Organizativ.

Ai u kujtoi se “pa dashje” e lanë vetëm ndërsa kishte si mision që të mbronte Kushtetutën e vendit ndërsa “ata të tjerët”, tha Meta, e lanë vetëm me qëllim. Kreu i Partisë së Lirisë theksoi se kreu i qeverisë di ta mbajë mirë opozitën të heshtur.

“Ata që mendojnë se kanë denoncuar, po çfarë i ka gjetur këta? Mesazhi duhet të jetë i qartë, beteja e Stalingradit për të shpëtuar Shqipërinë ka filluar. Të paktën për mua.  Ju pa dashjen tuaj më latë vetëm kur po mbroja Kushtetutën. Paguan mirë Rama që opozita të flejë mirë. Ata më lanë me qëllim. Kur ishte për t’i rënë Tahirit i bien Beqes. Vazhdon akoma ka një pjesë të opozitës që kakarinë sipas porosive që merr ai për të shfokusuar popullin, opozitën. S’kemi garë me njeri ne, e kemi kundër korrupsionit. Do të promovohen më shumë ata që do të dalin në ballë të kësaj lufte me investigime, kërkime, të vërteta.”

Meta theksoi se partia e tij që tashmë ka një emër të ri, nuk e ka luftën me askënd, veçse me korrupsionin, ndërsa shtoi se do të promovohen më shumë ata që punojnë më shumë në këtë drejtim.

Ish-presidenti paralajmëroi se nëse nuk do të ketë reflektim pas “revolucionit me mimoza”, kjo do të arrihet me ndërhyrjen e popullit.

“Është zgjuar një shpresë e madhe. Kjo është një betejë serioze. Me gjasme betejat që maksimumi arritën në djegien e kërpudhës. Ky revolucion paqësor me mimoza…nëse s’do të ketë reflektime do të bëhet me ndërhyrjen e popullit ndaj zyrtarëve të korruptuar. Unë dal i pari në krye të kësaj beteje.”

Ilir Meta kërkoi mobilizimin e plotë të partisë gjatë kësaj kohe pasi, siç tha ai, ka ardhur koha që opozita të triumfojë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!