Kryeministri Edi Rama ka replikuar me deputeten demokrate Jorida Tabaku, e cila hodhi një lumë akuzash duke akuzuar qeverinë për vjedhje, si për çështjen e Butrintit, ashtu dhe për stadiumin e ri dhe Teatrin Kombëtar.
Rama tha në fjalën e tij se sot nga dje ndryshimi është mjaft i madh.
Sipas tij qeveria aktuale ka zgjeruar zonat e mbrojtura, ndërsa e shkuara stimuloi ndërtimet pa leje.
Ndërkohë sa i përket stadiumit, Rama tha se sot Shqipëria mirëpret një finale europiane, ndërkohë që dje stadiumi i vjetër ishte si garazh për makinat e vjetra.
Ndërsa për Teatrin Kombëtar theksoi se duhej prishur me kohë.
“Nuk e keni patur mendjen. Fola mbasi foli një parafolëse e cila ngriti akuza të caktuara. Megjithatë nuk ka problem, unë këtu jam. Lidhja që bëni ju, shkak pasojë, është një lidhje që nuk bazohet në asnjë fakt. Ndërsa fakti është se deri në vitin 2018-të e gjitha harta e zonave të mbrojtura ishte e pandryshuar prej 30 viteve, dhe në rastin konkret prej 20 viteve, qysh prej e kemi bërë ne kur unë isha Ministër Kulture, që vendosa në mbrojtje Butrintin. Faktikisht në hartën e zonave të mbrojtura kushte ndryshime të mëdha, si rezultat i asaj që thashë stimulimit masiv të ndërtimeve në të gjithë territorin. Lidhja që ju keni ju bashkon të gjithëve në një akuzë, nuk e di se çfarë keni me investitorët strategjikë. Por dy shembuj do u jap, njëri shembull është që nga harta e Parkut të Butrintit është hequr pjesa e urbanizuar e Ksamilit, i imponuar nga koha, është bërë me një logjikë të caktuar, nën monitorimin e UNESCO-s e cila kërkoi rishikimin e zonave të mbrojtura për arsyet që përmenda. Ne jo vetëm që nuk kemi ngrënë zona të mbrojtura por i kemi gjetur të ngrëna nga ndërtimet pa leje që ju keni stimuluar, ne kemi zgjeruar hartën e zo0nave të mbrojtura, që nga mbrojtja e Lumit të Vjosës, duke ndaluar leje HECE-sh të dhënë prej jush. Ne vumë në mbrojtje çfarë mundëm të shpëtojmë nga lumi i Valbonës, ku ju dhatë 11 leje, gjetëm dy të filluara të tjerat i bllokuam. Kemi gjithë zonën e Thethit, Valbonës dhe lumit të Gashit që bashkohen me Alpet e Shqipërisë. Kemi luginën e Shalës Park natyror, e kërcënuar po nga lejet tuaja,. Kemi Munellën zonë të mbrojtur, kemi dhe Syrin e kaltër. Shpallja zona të mbrojtura ka ardhur pas rrezikut nga lejet e dhëna nga ju, ju që përfaqsoni këtu atë që ishte. Më tutje shembulli tjetër që dua të sjell, ju thatë që stadiumi “Qemal Stafa” ishte një ikon, çfarë ikone ishte. Ai stadium ishte në fakt sheshi i përdhunimit të një ikone. Ikona është aty, nuk e di a do shkoni ju në stadium apo jo, por kur të shkoni në stadium, ikonë do e keni aty. E gjithë tribuna qendrore që është e vetmja gjë e mbetur nga projekti i Bozos, dhe nga italianët, hiq relievet e përdhunimit mbi të që i more buldozeri, është aty. Pjesa tjetër e stadiumit ikonë ishte shto ujë e shto miell në kohën e komunizmit, që nuk kishte gjë me arkitekturën italiane. Fakti që sot aty nga një vend i trishtuar, ku gjenin strehë vetëm makinat e vjetra që shkonin të ndërronin gomat dhe makinat që shkonin të laheshin dhe ku as ekipi kombëtar nuk shkonte më, do të luhet një finale Europiane, nuk ka çfarë diskutojmë. Për Teatrin po u them të njëjtin gjë, i vetmi problem që unë kisha është se nuk e prishja dot më përpara, u deshën 20 vjet të shkuara kot për një paçavure atje, një teatër ku asnjë trupë e huaj nuk pranonte të vinte të luante”, tha Rama.
/Abcnews.al/