TIRANË- Kryeministri Edi Rama nuk lëviz nga premtimi i dhënë. Gjatë konferencës me presidenten e Komisionit Evropian në Tiranë, Ursula von der Leyen kryeministri i vendit u shpreh se Shqipëria do t’i përmbyllë me sukses të gjithë kapitujt brenda 2027.
Ai theksoi se Shqipëria detyrat dhe reformat në radhë të parë po i bën për veten, pavarësisht se mbeten kusht për t’u integruar në familjen europiane.
“Përgjigjja është po aty ku ishte në fillim, që kur thuhet në 2027, do të thotë se brenda 2027 do mbyllen kapitujt. Pritshmëria është që brenda 2027 të mbyllen kapitujt. Ne duhet të bëjmë detyrat këtu dhe detyrat janë të mirëcaktuara kapitull për kapitull, plus kësaj janë dhe në Planin e Rritjes.
Kjo nëse sot marrim një vlerësim pozitiv, kjo vjen si rezultat i detyrave të bërë deri tani. Detyrat ne nuk i bëjmë se na i kërkon BE, ne i bëjmë detyra për veten tonë.
Çdo detyrë që ka ky proces dhe që bëhen këtu me sukses, e bën Shqipërinë më të fortë dhe më funksionale si shtet. Për në procesin e integrimit, në procesin e negociatave, i hapjes së kapitujve dhe mbylljes së kapitujve është proces i shtetbërjes demokratike. Kjo është për shqiptarët dhe për gjeneratat”, tha ai./abcnews.al

