Kryesia e Partisë Socialistë vendosi të mos i njohë asnjë përgjegjësi qeverisë për mos hapjen e negociatave me BE. Kryeministri Rama tha pas mbledhjes se nuk do të japë dorëheqjen, ndërsa u zotua se do ta miratojë reformën zgjedhore pa Partinë Demokratike, por edhe pa Rudina Hajdarin nëse këta faktorë nuk ulen në tryezë.
Edi Rama nuk do ta japë dorëheqjen. Shembulli i Zaev që po e dërgon vendin në zgjedhje të parakohshme pas mos hapjes së negociatave, nuk u pa si alternativë nga Kryesia e Partisë Socialiste.
Por mazhoranca është e vendosur të eci përpara me plotësimin e kushteve të Bundestagut gjerman, duke u zotuar të miratojë fazën e parë të reformës zgjedhore brenda këtij viti.
Rama është gati ta bëjë këtë, jo vetëm pa Partinë Demokratike, por edhe pa pranuar kushtin Rudina Hajdarit dhe opozitës parlamentare, për ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Kryesia e PS-së vendosi të thellojë zgjedhjet në parti dhe gjatë këtij muaji të zgjedhë 61 kryetarët e rinj të degëve socialiste në çdo bashki, si dhe e gjithë anëtarësia socialiste, në 19 nëntor do të votojë anëtarët e rinj të Kongresit të partisë.
Edi Rama ka pranuar kërkesën e zonjave të partisë, që çdo organizatë socialiste të bashkëkryesohet nga një grua dhe një burrë./ABC News Albania

