Nuk do të ketë më leje për ndërtimin e fshatrave turistikë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se modeli i zhvillimit të turizmit do të ndryshojë dhe prioritet, do të jetë ndërtimi i resorteve.
Ndërsa flet për zhvillimin e turizmit në Shqipëri pas 2018-s një togfjalësh duhet ta fshish nga fjalori.
Edi Rama, Kryeministër: “Ajo fjala “fshatra turistikë” duhet fshirë nga fjalori. Nuk kemi për të dhënë më leje për fshatrat turistikë që kthehen në lagje banimi, që janë zona banimi për ata që sot kanë mundësi të blejnë edhe një vilë në bregdet dhe pastaj ta mbajnë mbyllur.”
Kryeministri Edi Rama është kategorik në thirrjen e tij drejtuar investitorëve vendas dhe të huaj.
“As mos e merrni mundimi fare të vini me albume fshatrash turistikë bazuar tek shitja e menjëhershme e metrave katrorë dhe tek “të pashë dhe ika”. Duam projekte të cilat i përgjigjen ambicjes sonë për të zhvilluar një industri turistike të qëndryeshme. Nuk jemi në një provincë të botës, për sa i përket turizmit. Jemi vërtetë në një nga qendrat më intensive të zhvillimit.”
Shqipëria ka nevojë për shtimin e kapaciteteve akomoduese, por modeli i zhvillimit të turizmit do të ndryshojë. Bazë do të jetë ndërtimi i resorteve të cilat në vetëvete mund të jenë një kombinim i hotelerisë me vilat individuale. Por per të marrë lejen e ndërtimit, kryeminsitri tregon se do të ketë kushte.
“Do të bësh një herë pjesën e hotelerisë pastaj do të marrësh lejen për të ndërtuar vila historia që fillojmë me hapim themele, i shesim në themel, marrim me këste dhe pastaj përfundojmë që hoteli mbetet në letër dhe një pjesë e hotelerisë mbetet një dëshirë e mirë e parealizuar. Ngrejmë kantierin dhe ikim dhe prapa lemë një tjetër mëhallënjerëzish që sot kanë një lek më shumë dhe e përdorin mëhallën 15 ditë në vit, është një histori që për ne duhet të konsiderohet e marrë fund.”
Ndërsa lehtësite fiskale kanë nisur ti japin efektet. Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, thotë se bashkitë janë përfshirë nga hotelmania.
Blendi Klosi, ministër i Mjedisit dhe Turizmit: “Në vitin 2016 zyrtarisht janë licensuar vetëm 12 hotele, në 2017-n 53. Në 6 mujorin e parë të këtij viti kanë marrë lejen për të filluar investimet plot 115 hotele.”
Vendi ynë këtë vit në optikën e qeverisë, ka përjetuar sezonin më të mirë turistik me 6 milionë turistë dhe rreth 2 miliardë euro të ardhura nga turizmi./abcnews.al

