Në Shtator do unifikohen institucionet e pronës, ALUIZNI dhe Hipoteka. Realizimin e këtij premtimi e shpalli kryeministri Edi Rama në takimin e fundit për këtë sezon me koordinatorët e bashkëqeverisjes. Kjo do u kursejë kohë qytetarëve në zgjidhjen sa më efikase të kërkesave të tyre.
Ende pa i krijuar qeveria e re verën e shkuar, kryeiministri u zotua se do të bashkojë institucionet e pronës. Kjo reformë është gati pas një viti dhe do të nisi funsionimin e saj në Shtator. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama i cili renditi lehtësirat që do t’u krijohen qytetarëve.
“Për të pasur një agjenci kombëtare të pronës në mënyrë që të mos shkosh të ALUIZNI ta marrësh e pastaj te hipoteka s’ta jep, për të mos shkuar e ardhur mes institucioneve, po për të pasur një institucion, një drejtim. Kjo reformë do të jetë rrënjësore, do të racionalizojë burimet njerëzore që kemi në dispozicion në këto institucione, do të mundësojë një ecuri shumë më të shpejtë dhe efikase të modernizimit të brendshëm të këtyre institucioneve”, tha Rama.
Brenda këtij institucioni të ri do të krijohet një strukturë apeli bëri të ditur kreu i qeverisë.
“Në mënyrë që qytetarët të mos jenë të detyruar të shkojnë në gjykatë po të apelojnë brenda institucionin në një strukturë që është autonome, që do të ulë në mënyrë drastike kohën mundimet dhe mbi të gjitha do të ulë në mënyrë drastike gjithë atë dëshpërim që krijohet”, theksoi kryeministri.
E ndërsa të gjitha këto do të ndodhin në Shtator, qytetarët do t’i kenë të hapura dyert e zyrës së koordinatorëve të bashkëqeverisjes edhe gjatë muajit Gusht.
“E di që pavarësisht nga javët e pushimeve zyra do të vazhdojë të funksionojë, sepse nuk është një zyrë si të gjitha të tjerat, po një zyrë që siç është në xhepin e qytetarëve, është në tavolinën e shtëpive, kudo ku ka një kompjuter, në zyrat që ofrojnë këtë mundësi , dhe po ashtu në smartphone e koordinatorëve. Është një punë që mund të bëhet nga çdo pikë”, nënvizoi Rama.
Prandaj kryeministri i kërkon qyetarëve që të vazhdojnë t’i drejtohen platformës së bashkëqeverisjes.
“Administrata do të vazhdojë të pastrohet nga rryshfeti”, tha ai./abcnews.al