Rama është pritur në Bundestag nga Presidenti i Parlamentit gjerman Volfgang Shojble. I shoqëruar dhe nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, kreu i qeverisë shqiptare ka biseduar me kryeparlamentarin gjerman për bashkëpunimin dypalësh dhe hapat e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Në Bundestag është planifikuar nesër një seancë bashkëbisedimi mes Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Komisionit të Jashtëm, i cili drejtohet nga Gunther Krichbaum, një deputet i partisë së kancelares Merkel, që është shprehur më herët se hapja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme.
Kjo vizitë dy ditore e kreut të qeverisë në Gjermani ndodh një javë, pasi Komisioni Europian dha rekomandimin pa kushte për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Gjithë kjo periudhë deri në Qershor, kur Këshilli Europian të vendosë mbi rekomandimin e Komisionit, do të jetë veç të tjerash për autoritetet shqiptare edhe një kohë takimesh dhe lobimesh për të bindur vendet anëtare për votën pro hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE.