Kryeministri Edi Rama, i cili bashkë me ministren Frida Krifca dhe deputetin socialist Pandeli Majko, kanë vizituar mëngjesin e sotëm Tropojën, u shpreh në këtë bashki socialistët kanë bërë atë që të gjitha qeveritë e tjera nuk e kanë bërë.
Ndërsa tha se këtë vit Tropoja u vizitua nga më shumë se 150 mijë vizitorë, kreu i qeverisë shtoi se ajo që ka ndodhur në Tropojë këto vite dikur as nuk mund të imagjinohej.
Atributet Rama ia dha procesit te rilindjes urbane por edhe investimeve që janë bërë deri më tani në Valbonë e më tej.
Në mënyrë që vizitorët e Tropojës të qëndrojnë sa më shumë apo edhe të kthehen, Rama tha se duhet punuar më shumë me investime publike dhe private.
“Ne do të donim që të ndodhte shumë më shumë sesa kaq. Procesi i rikthimit të syve të cilat gjatë gjithë viteve pas rënies së komunizimit janë karakterizuar nga një imazh pamundësie, nuk është një proces i lehtë.
Edhe këtu, programi ynë i rilindjes urbane, që u përqendrua në qytet dhe preku disa pika të rëndësishme, i ka hapur rrugë një zhvillimi të turizmit që deri dje ishte thjesht një dëshirë e bazuar në bukuritë e natyrës, pa asnjë lloj kontributi nga ana e qeverisë së Tiranës. Nuk jemi mbështetur me votë në mënyrë të shpeshtë, ne kemi bërë cka të gjitha qeveritë e tjera të marr së bashku nuk e kanë bërë.
Kemi bërë punë dhe investime që jo thjesht kanë ndryshuar frymën, ngjyrën, fuqinë tërheqëse të qytetit dhe zonave më atraktive. Por, mbi të gjitha kanë hapur rrugë për këto ngjarje të këtyre viteve. Investimet në Valbonë, në pika të ndryshme dhe të mendosh që sot në këtë vit Tropoja ka numëruar më shumë se 150 mijë vizitorë, vendas e të huaj, është diçka shumë kuptimplotë. Ambicia jonë duhet të jetë që këta vizitorë të qëndrojnë sa më gjatë, dhe duhet të bëjmë më shumë punë, përpjekje dhe investime qoftë publike apo private.” /abcnews.al/