Rama nga Korça: Shumë shpejt realizojmë projektin e sistemit të furnizimit me gaz

schedule20:04 - 1 Maj, 2023

schedule 20:04 - 1 Maj, 2023

Në një takim elektoral me qytetarët e Korçës, kryeministri Edi Rama zbuloi bashkëpunimin me qeverinë e Azerbajxhanit për projektin e sistemit të furnizimit me gaz në këtë qytet. Sipas kreut të qeverisë, projekti pritet të nisë shumë shpejt dhe pritet t’i japë fund njëherë e mirë problematikës së ngrohjes.

“Ne jemi duke punuar me qeverinë e Azerbajxhanit dhe projektin e parë i cili po finalizohet dhe për të cilin është gati edhe financimi është projekti i ndërtimit të sistemit të furnizimit me gaz për ngrohje të të gjitha shtëpive të Korçës dhe besoj që ky është një lajm i mirë për gratë që nuk do të kenë më nevojë të luftojnë me burrat që t’ju gjejnë dru për zjarr.

Ky është një lajm i mirë për familjet e Korçës që nuk do të kenë më një dhomë të nxehtë dhe të tjerat të ftohta. Një dhomë e ftohtë mbase do të duhej që të futeshin burrat aty kur nuk sillen mirë por atë mund ta zgjidhim me celësin e gazit. Ky është një lajm i mirë për pyjet, shëndetin, ju e dini se aroma e këndshme e tymit në dimër nuk është edhe aq e shëndetshme dhe patjetër që ky është një lajm i mirë edhe për të gjithë biznesin dhe hotelerinë dhe sistemin e mikëpritjes në Korçë.

Ky nuk është një projekt që do të nisë pas shumë vitesh por shumë shpejt bashkë me të tjera projekte që i kemi përgatitur sepse ju e dini që Korça është i vetmi vend në Shqipëri që ka dy kryetar bashkie, një këtu dhe një në qeveri në Tiranë.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!