Gjatë një konference shtypi në Zagreb me homologun e tij kroat Andrei Plenkoviç, kryeministri Rama përseëriti qëndrimin e tij në mbështetje të taksës 100% të vendosur nga qeveria e Kosovës për mallrat serbe.
Për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, taksa 100% e Kosovës për mallrat serbe, nuk duhet parë si një luftë tregtare mes dy vendeve, por si një klithmë reagimi politik nga Prishtina. Dhe arsyet sipas shefit të qeverisë së Tiranës janë të shumta.
“Beogradi dhe Serbia e kanë shkelur në mënyrë të ripërsëitur marrëveshjen e CEFTA-s. Kosova në mënyrë të përsëritur është ankuar për lëtë dhe nuk ka pasur asnjë reagim për të adresuar shkeljet. Vendosja e taksës 100% për produktet serbe është anormale, por situata është anormale”, tha Rama.
Liberalizimi i vizave i premtuar me aq bujë nga Brukseli për qytetarët e Kosovës, para demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, të përcaktuar si kusht, nuk po ndodh. Kjo, sipas Ramës, është një arsye më shumë e irritimit të shtetasve të këtij vendi në mes të Europës.
“Kosova po jeton në një paradoks që nuk mund të përballohet më nga pikëpamja psikologjike sepse deri dje ishin qytetarëv të dorës së dytë nën diktaturën e Beogradit dhe lëviznin lirshëm me pasaportat e Jugosllavisë dhe Serbisë, ndërkohë që sot janë të vetmit qytetarë të dorës së dytë të Europës”, u shpreh Kryeministri.
Rama e ka një përgjigje edhe për deklaratat e Beogradit për Shqipërine e Madhe, të amplifikuara edhe më shumë pas mbledhjes se dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Pejë.
“Përsa i përket Shqipërisë së Madhe ky është një term që në Beograd dhe jo vetëm në Bograd, del në sipërfaqe sa herë që shqiptarët kërkojnë disa të drejta evidente dhe sa herë që Shqipëria mbështet Kosovën me të drejtë”, tha Rama./abcnews.al