Rama në Spitalin dhe Ujësjellësin e Kukësit

schedule12:54 - 10 Shkurt, 2018

schedule 12:54 - 10 Shkurt, 2018

Kryeministri Edi Rama ishte në Kukës ku pa sesi po funksionon sistemi i patronazhimit në spitalin rajonal ndërkohë që u njoh edhe me investimin e kryer në fshatin Orgjost. Ujësjellësin që i vjen në ndihmë rreth 1 mijë banorëve.

Kryeministri Edi Rama shkoi në spitalin e Kukësit dhe aty gjeti mjekët nga Tirana.

“Jam i sëmurë, qe një vit vuaj nga këmbët, trompozë, edhe veshkat. Tani meqë ka ardhur shërbimi këtu ka mundësi t’i kryej këtu,” shprehet një pacient.

Spitali rajonal prej një muaji është marrë në patronazh nga Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” i cili ndjek një sistem rotacioni dhe çdo javë dërgon specialistë në Neurologji, Endokrinologji dhe Reumatologji.

“Punë ka realisht goxha. Është më e thjeshtë për të gjithë qytetarët se jemi ne dhe ua japim shërbimin në një kohë më të shpejtë, sesa të vijnë në Tiranë,” shprehet mjeku reumatolog.

Mjeket nga kryeqyteti do të vijojnë të shërbejnë në spitalet e rretheve për rreth një vit kohë kur 300 specializantët e parë pritet të përfundojnë studimet e me shpresë të plotësojnë vakumin në sistemin shëndetësor.

“Tani do vijë Tirana këtu dhe do shkojë Tirana në të gjitha spitalet ku ka nevojë për mjekë specialistë, sepse deri në janar 2019 na duhet të bëjmë këtë gjë. Pastaj do vijnë mjekët specialistë që do jenë full time çdo ditë.”

Programi i patronazhimit përmbyll konsulta, ekzaminime dhe ndërhyrje kirurgjikale. Vetëm gjatë janarit sipas Ministrisë së Shëndetësisë kanë përfituar mbi 1 mijë pacientë.

“Praktikisht kemi marrë në patronazh spitalin rajonal të Kukësit, Dibrës, Korçës, Gjirokastrës, Vlorës, Fierit dhe Beratit. Ndërkohë që kemi dhe një spital bashkiak atë të Burrelit, ku për herë të parë janë kryer ndërhyrje që nuk ishin kryer më parë,”

Njëkohësisht në spitalet rajonale po zbatohet edhe program i bonusit deri në 2.5 milionë lekë për mjekët që punojnë larg vendbanimit.

“Për herë të parë në spitalin e Kukësit vjen nëpërmjet programit të bonusit, me masën e re të bonusit që miratuam në qeveri me 250 mijë lekë, një mjek kirurg i dedikuar për spitalin e Kukësit që do të mbulojë të gjitha kirurgjitë dhe do të qëndrojë 24/7 on call për të gjitha problemet kirurgjikale që mund të kenë banorët e Kukësit, por dhe të Hasit dhe të Tropojës, për të kryer të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale në këtë spital,” tha ministrja Ogerta Manastirliu.

“Sapo kryem një operacion. Shkoi me sukses. Unë erdha në kuadër të thirrjes që bëri ministrja e Shëndetësisë. E kisha dhe për detyrë humanitare, sigurisht, jam mjek dhe do të përgjigjem,” u shpreh Dr. Novruz Bare.

“Në fakt, ishte e vetmja mënyrë. Ne e thamë që në fillim, se për të gjithë rastet kur mjekë specialistë të nivelit tuaj do pranojnë të shkojnë në spitale të tjera ku s’ka mjekë specialistë, ne do japim një bonus, plus rrogës, që të marrin aq sa marrin kur shkojnë ditën e parë në Gjermani e Itali, po qe se kanë fatin të gjejnë punë. Kështu që kjo po funksionon.” Kryeministri

Veç spitalit kryeministri Rama inspektoi edhe ujësjellësin e ri në Orgjost. Një investim që ka zgjidhur problemin e furnizimit me ujë për afro 1 mijë banorë të këtij fshati.

“Me menaxhimin jemi mirë. Nga 30%, kemi 80%. Është sinqerisht një skemë e mirë. Nuk e kemi këtë cilësi, këto punime që janë bërë në qytet. E dinë të gjithë qytetarët. Ndërsa këtu ka pasur një punë serioze,” tha kryebashkiaku Shehu.

“Është për t’i falenderuar njerëzit, sepse, nëse flasim për vështirësi ekonomike, kjo është një zonë me vështirësi ekonomike të theksuar, e megjithatë është shembulli më kuptimplotë që kjo nuk është çështje i varfër, i pasur. Kjo është çështje që secili të paguajë atë që konsumon, në mënyrë që pastaj me kontributet e përbashkëta ndërmarrja të fuqizohet pak nga pak, të vazhdojë të bëjë investime”

Ndërkohë Kryeministri apeloi për shfrytëzimin e bukurive natyrore të zonës me qëllim kthimin në një atraksion turistik gjë që do të ndikonte dhe në rritjen e mirëqënies për vetë banorët./abcnews.al